Ballkani Perëndimor është një nga prioritetet e Agjencisë Gjermane për Ndërmjetësim dhe Punësim (ZAV).
Ajo që në pamjen e parë duket si call center është qendra virtuale e mirëseradhjes e Agjencisë Federale për Ndërmjetësim dhe Punësim (ZAV) në Bonn. Punonjësit ofrojnë këshillime për vende pune në anglisht dhe gjermanisht, por edhe në rumanisht, shqip apo në gjuhë të tjera.
“Unë jam serbe, jam infermiere e diplomuar. Di gjermanisht por nuk kam dëshmi për këtë.” Apo “Unë jam marokan dhe dua të punoj si shofer kamioni në Gjermani. A njihet patenta ime dhe përvoja?” Këtë vit punonjësit e kësaj qendre kanë marrë rreth 175.000 telefonata të tilla dhe të ngjashme nga njerëz që kërkojnë punë në Gjermani. Këtyre u shtohen edhe 32.200 kërkesa me e-mail dhe 4.000 me mesazhe në chat, njofton DW.
Gjermania kërkon specialistë brenda BE-së dhe jashtë saj. Ndër rajonet e preferuara është Ballkani Perëndimor, Afrika e Veriut dhe vende si Meksika. Nevojë ka për inxhinierë, por edhe ekspertë kompjuterash, sqaron Carsten Klein, drejtor i ZAV-it. Po ashtu ka nevojë për infermirë dhe profesione të tjera mjekësore, por edhe për profesione që kërkohen në zona të caktuara si speditor apo shofer kamionësh.
Në sektorin e IT-së nuk është vendimtare gjermanishtja
Krahas aftësive profesionale kërkohen edhe njohuri të gjermanishtes. Por niveli i njohurive varet nga profesioni. Për sektorin e IT-së është vendimtar niveli i anglishtes, por në fushën e infermierisë dhe të hotelerisë niveli i gjermanishtes, sepse aty ke të bësh direkt me klientë.
ZAV punon intensivisht me partnerë në vende të ndryshme dhe për momentin po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor. Për këtë së fundi ishin në Bonn punonjës së zyrave të punës nga vende të ndryshme të Ballkanit për të mësuar për procedurën e ndërmjetësimit të vendeve të punës.
David Perčubić, zëvendësdrejtor i Agjencisë së Punësimit në Malin e Zi thotë se për të papunët në vendit e tij ofrohen kurse përgatitore për gjuhën dhe tregun e punës në Gjermani. Ato si rregull zgjasin dy deri në tre vjet dhe kandidatët duhet të kenë nivel gjermanishteje A1 ose A2.
Carsten Klein reagon me mohim ndaj pyetjes nëse Gjermania nxit në këtë mënyrë rrjedhjen e trurit nga këto vende. “Ne dhe vendet e tjera të Evropës nuk parapëlqejmë vetëm rrugën njëdrejtimshe, por u ofrojmë atyre që duan të punojnë në Gjermani mundësi të mëtejshme kualifikimi në mënyrë që ata të kthehen me këto njohuri në tregun e punës të vendeve nga vijnë.”
Perčubić thotë se sipas perspektivës malazeze projektet për punësim në Gjermani ndikojnë për luftimin e papunësisë në Malin e Zi dhe se vendi i tij synon të legalizojë emigrimin për arsye pune.
Me sa duket ndërmjetësimi i specialistëve nga bota e jashtme duket se është në interes të të dyja palëve. Dhe numri i kërkesave pranë ZAV-it po shtohet. Këshilluesit e ZAV-it sqaqojnë jo vetëm për procedurën e aplikimit dhe mundësitë e vendeve të punës, por edhe për rrogat, qiratë e banesave, sigurimet shëndetësore etj. Sepse premtimi i sloganit “Make it in Germany!” mund të jetë i sukseshëm vetëm në rast se informacionet jepen që në fillim realiste dhe jo vetëm për shancet por edhe për vështirësitë.(DW)