Një 17-vjeçar nga Ferizaj ka dhënë një shembull të mirë të qytetarisë, pasi ka gjetur një shumë parash dhe dokumente identifikimi dhe i ka dorëzuar ato në polici.
Më datën 02.08.2026, rreth orës 22:30, në Stacionin Policor në Ferizaj është paraqitur qytetari A. Nuha (17 vjeç), nga fshati Bablak i komunës së Ferizajt, i cili ka dorëzuar një portofol me para dhe dokumente identifikimi që i kishte gjetur në rrugë, në fshatin Lloshkobare, afër pikës së karburantit “Ibrahimi Petrol”.
Pas verifikimeve të kryera nga zyrtarët policorë, është identifikuar pronari i sendeve të humbura, K.S. (40 vjeç) nga Gjakova.
Në prani të zyrtarëve policorë, pronarit i janë kthyer paratë në vlerë prej 2,435 euro dhe 270 franga, si dhe dokumentet personale. Për këtë rast, Policia ka regjistruar një shënim zyrtar.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka vlerësuar lart veprimin e 17-vjeçarit A. Nuha, i cili me ndershmëri dhe përgjegjësi ka dorëzuar paratë dhe dokumentet e gjetura, duke dhënë një shembull pozitiv të sjelljes qytetare.
