×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Gjithçka dhe asgjë: Venitja e shtresës së mesme

    Insajderi
    17 January 2022 - 13:38

    Altin Ademi

    Mund t’i quajmë klasa, rangje apo rende dhe kjo s’ka fare rëndësi, përderisa po flasim për një të vërtetë objektive që e hasim kudo përreth nesh, manifestimin hierarkik të shoqërisë tonë në tre grupime:

    Të pasurit, apo ata që posedojnë mjete dhe kapital, si dhe cilësi të jetesës që iu shërbehet nga potenciali i tyre financiar e pronësor. Këta kanë pushtet financiar, pushtet i cili është bërë sot një prej pushteteve më të fuqishme në shoqërinë tonë.

    Flirtuesit me të pasurit, apo politikanët që imitojnë duke u kredhur në rritjen e standardit të jetesës, si një mësymje për t’u zhvendosur dhe arratisur nga tradita dhe origjina. Këta kanë pushtet politik e institucional, të cilin e përdorin për të mbajtur rendin ekzistues.

    Punëtorët e krahut dhe të papunët, apo qytetarët që përbëjnë shumicën e shoqërisë tonë, e të cilët gjenerojnë ekzistencën e tyre me punë e shërbime për dy grupimet e lartpërmendura. Këta nuk kanë asnjë lloj pushteti.

    Në shikim të parë, kjo është përshtypja rreth pasqyrës së hierarkisë sociale në Kosovë sot për sot. Një trikotomi si produkt i ndërveprimit të forcave socio ekonomike, politike dhe kulturore që kanë zënë vend në Kosovën e pasçlirimit.

    Por në një vrojtim më të thellë, besoj pajtoheni siç pajtohem edhe unë, se kësaj skeme i mungon edhe diçka tjetër. I mungon shtresa e mesme, apo taksapaguesit më të mëdhenj në numër.

    Ka dy mënyra se si shpjegohet mungesa e saj. Së pari, përmes mohimit, sikur ajo nuk ekziston fare, gjë që s’është e vërtetë. Së dyti, përmes asimilimit, duke e parë atë të nën vendosur e të pa themeltë në kuadër të strukturave tjera hierarkike, gjë që i përgjigjet më afër të vërtetës.

    Në këto rrethana sipas postulatit të Sieysit do të mund të pyesnim: Çfarë është shtresa e mesme? Gjithçka. Çka është aktualisht? Asgjë. A mund të bëhet diçka? Gjithsesi. A mund të bëhet diçka pa të? Kurrë. Dhe përkundër kësaj, ajo megjithatë nuk duket në horizont.

    Shtresa e mesme do të duhej të përkthehej në njerëzit e zakonshëm të Kosovës që punojnë dhe ndërmarrin, që edukohen dhe zhvillohen gradualisht. Do të duhej të përfshinte ndërmarrësit që zhvillojnë veprimtari jashtë kodeve të pushtetit. Do të duhej të përfshinte po ashtu intelektualët e profesionistët siç janë profesorët, mjekët, menaxherët, punëtorët e kualifikuar, shërbyesit civil, njerëzit e medias, të artit, sportit e kulturës, etj.

    Në terma socio ekonomik, kjo shtresë do të fuste në ombrellën e saj ata që nga të hyrat që gjenerojnë nga puna, një pjesë të të hyrave e kanë të lidhur me standardin e jetës, pasi që kanë mbuluar koston e jetesës në kuptim të banimit dhe ushqimit.

    Por për një shtresë të mesme, nuk ka rendësi hierarkia si matës i standardit të jetesës. Arsyeja e këtij shkrimi është fakti se ekziston një cilësi tjetër dhe kryesisht politike që e karakterizon të njëjtën. Shtresa e mesme përbën fuqinë kryesore për ta mbajtur gjallë demokracinë e një vendi.

    Duke mos qenë të ndërlidhur drejtpërdrejtë me kapitalin në njërën anë, si dhe duke mos pasur domosdoshmërisht nevojë për mbështetjen sociale të shtetit në anën tjetër, shtresa e mesme ka mundësi për të krijuar një balanc të qëndrueshëm në ofertën politike. Ajo në vetvete është pushtet i kompetencës, dijes dhe interpretimit që çon në përcaktim politik.  

    Por përse ky lloj “pushteti” i kompetencës e dijes është devalvuar aq shumë, saqë të lejojë mbivendosjen e plotë të pushtetit financiar dhe atij politik? Përse shtresa e mesme nuk është e pranishme dhe e themeltë në mesin tonë? Kush është shkaku dhe fajtori për këtë devalvim?

    Shkaku i kësaj dekadence, gjendet në vetë pjesëtarët e saj. Shtresa e mesme kosovare nuk ka identitet, sepse ajo kurrë nuk e ka kuptuar peshën që ka, për ta mirëmbajtur rendin republikan në të cilin bëjmë pjesë. Pjesëtarët e saj kanë dështuar të ndërtojnë një rrëfim autentik të njeriut të zakonshëm të Kosovës, i cili lufton për të drejtat e veta dhe nuk aspiron të katapultohet padrejtësisht në privilegje.

    Kësisoj, pjesëtarët e saj kanë rënë pre e privilegjit që iu jepej, duke hequr dorë nga të drejtat që iu takojnë pa pasur nevojë t’ua japë askush. Shkëmbimi i të drejtave të përhershme me privilegje të përkohshme është shkaku themelor i tërheqjes së shtresës së mesme nga roli i saj aq i rëndësishëm për rendin shoqëror.

    Kështu për shembull, profesorët kanë lënë anash kauzën dhe janë katapultuar në politikë, si mjet për t’u përmbushur individualisht. Shërbyesit civil kanë lënë detyrën ndaj rendit e ligjit dhe kanë krijuar hapësirë manovrimi për politikanët dhe të pasurit, duke e dorëzuar pa asnjë nder, atë që ishte e tyre dhe të cilën s’ua kërkoi askush ta dorëzonin. Ngjashëm edhe pronarët e mediave që kanë zgjedhur skenarë para manifestimit të ngjarjeve reale, si dhe ndërmarrësit që kanë shpërndarë dhurata, para fokusit për të qëndruar në ballë të konkurrencës legale. Kështu vazhdojnë tiparet e dezertimit të një strukture sociale që ka dorëzuar pa asnjë lloj kushti, përballë atyre që kanë para dhe atyre që kanë pushtet.

    Mungesa e intelektualëve publik që janë besnik ndaj të vërtetës është ilustrimi më i hapur i këtij dezertimi. Dominimi i paragjykimeve kundrejt argumenteve është ilustrim i këtij dezertimi. Pasionet politike kundrejt detyrave politike është ilustrim i këtij dezertimi.

    Të gjitha këto veti që s’janë zhvilluar brenda shtresës së mesme, e kanë shndërruar Kosovën në një vend ku perspektiva e sigurt për gjithsecilin është nënshtrimi ndaj parasë dhe pushtetit, apo puna e krahut dhe shërbimi për ekzistencë.

    Pjesëtarët e shtresës së mesme që kanë filluar të imitojnë dhe të legjitimojnë “dominimin e pa kusht” të parasë dhe pushtetit mbi njeriun e zakonshëm të Kosovës, janë vetë mjaftuar brenda kuadrit të tyre individual, pa qenë të gatshëm t’i ballafaqojnë e të ndër veprojnë me to. Disa prej tyre mjaftohen duke shitur vetveten tek çdo blerës i mundshëm. Disa të tjerë kanë filluar të jetojnë me një ndërgjegje të dyfishtë, tjetër gjë duan e për tjetër gjë angazhohen. Ndërsa disa të tjerë, në fakt shumica prej tyre, kanë qenë spektatorë të ballafaqimit politik në mes palëve, duke u rreshtuar me fituesin, kurdo që dilte një fitues i ri në skenë. Ata kanë gjetur strehë individualisht, por të gjithë së bashku kanë dështuar ta ndërtojnë një agjendë shoqërore që përfaqëson jetën dhe alternativën e njeriut të zakonshëm të Kosovës.

    Kjo agjendë është shumë e nevojshme dhe fare e thjeshtë. Lista themelore e saj përfshinë në mes tjerash:Kërkesën për cilësi në arsim publik, pasi që jo të gjithë mund të kërkojnë këtë cilësi në shkolla private;

    Zbatim të ligjit dhe të drejtave, sepse vetëm nën ligj njerëzit mund të trajtohen subjektivisht si qytetarë, pa u parë si status e peshë politike e financiare;

    Kushte më të mira për punë dhe shpërblim adekuat për punën, sepse mungesa e shpërblimit adekuat dhe kushteve është shkak i “shfrytëzimit” të punëtorëve.

    Qasje më të lehtë në financa dhe qasje de burokratike nga sektori financiar i bankave komerciale;

    Mbrojtje e të drejtave të konsumatorit dhe siguri në cilësinë e shërbimeve dhe produkteve;

    Shërbime gjithëpërfshirëse shëndetësore, sigurime shëndetësore dhe skema adekuate pensionale, etj;.

    Këto tema hasen në fjalorin politik që graviton Kosovën, por agjendë konkrete rreth tyre nuk ka dhe nuk duket se do të ketë, veçmas jo jashtë vullnetit të pushtetit. Prandaj sot, të gjitha tiparet sociale të grupeve shoqërore e gjejnë vetën më të përfaqësuar nga politika sesa shtresa e mesme. Natyrisht se faji për këtë është edhe i subjekteve politike. Ato në agjendën e tyre kanë zgjidhje për pensionet si pikë fillestare dhe për korporatat si pikë përfundimtare. S’kanë megjithatë ofertë për shtresën e mesme. 

    Që të kuptohem drejt, unë respektoj të pasurit, sepse ata janë burim i të ardhurave për shumë të tjerë, ndërsa kanë të drejtë të jetojnë siç zgjedhin vetë të jetojnë, sepse fundja nuk varen nga askush. Kam respekt të thellë për punëtorët e zakonshëm të Kosovës që përpiqen e tundohen në baza ditore për të gjeneruar ekzistencën ekonomike. Shkaku themelor që më bën t’i respektoj të pasurit dhe punëtorët e thjeshtë është se ata qëndrojnë brenda tipareve të tyre autentike. Prandaj kam rezerva për shtresën e mesme, për shkak se të njëjtit kanë zgjedhur të shpërbëhen për së brendshmi, duke mos pasur guxim të përfaqësojnë vetveten përballë pushtetit dhe parasë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark