
Propozimi i fundit i kryetarit të LDK-së për një qeveri tranzicionale gjithëpërfshirëse është mirëpritur nga shumë qarqe të opinionit publik, si një zgjidhje për ngërçin politik aktual. Megjithatë, ky propozim në vetvete nuk qëndron kur shihet në dritën e realitetit politik të vendit: nuk mund të ketë qeveri gjithëpërfshirëse me dikë që refuzon vetë konceptin e bashkëpunimit.
Shkruan: Doruntinë Meha
Albin Kurti, ka ndërtuar një model të qeverisjes që nuk lë vend për bashkëpunim të mirëfilltë. Ai nuk kërkon partnerë, por ndjekës. Nuk ndërton konsensus, por vendos kushte. Bashkëpunimi, për të, ekziston vetëm nëse tjetri është i gatshëm të pranojë pa kundërshtim vullnetin e tij politik.
Në këtë realitet, ideja për një qeveri gjithëpërfshirëse që përfshin Vetëvendosjen dhe opozitën është thjesht një iluzion. Nuk ka as sinjale reale nga Kurti për bashkëpunim, as garanci që ai do të ndryshojë qasjen e tij autoritare. Përkundrazi, çfarëdo përpjekje për bashkëpunim me të përfundon me kushtëzime, imponime dhe në fund – me dështim.
Ndaj, mbështetja që ky propozim po merr në opinionin publik është më shumë shprehje dëshire sesa vlerësim racional i mundësive reale. Qeveria gjithëpërfshirëse është ide fisnike, por vetëm kur të gjithë aktorët ndajnë një kulturë të përbashkët politike të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit. Në mungesë të kësaj kulture – dhe sidomos në mungesë të vullnetit politik nga udhëheqësi i mazhorancës – gjithëpërfshirja shndërrohet në farsë.
Kosova ka nevojë për stabilitet institucional, për zgjidhje të krizave përmes dialogut, por nuk ka luksin të besojë në skenarë që nuk funksionojnë. Të kërkosh gjithëpërfshirje me dikë që nuk e pranon as ekzistencën politike të tjerëve, është humbje kohe. Dhe çdo ditë e humbur në këtë krizë, është barrë mbi qytetarët.