Gazeta Insajderi ka publikuar një video nga një tubim zgjedhor i Lëvizjes Vetëvendosje në fshatin Gllanasell të Drenasit ku një qytetar shihet duke gjuajtur me armë në një ambient të mbyllur.
Gjuajtjen me armë e ka konfirmuar edhe deputeti i Vetëvendosjes Enver Dugolli i cili shihet te jetë prezent në takim.
Por, në një prononcim për Insajderin ai mohon te ketë qenë prezent në momentin kur është gjuajtur me armë.
Dugolli i tha insajderit se ai ka dal paraprakisht nga salla ku po mbahej takimi.
“Unë nuk kam qenë prezent kur kanë gjuajt me armë. Krejt gjysmë orë kam nejt ne atë tubim se kemi pas tubim tjetër në Zabel. Ndeja aty ka vazhdu edhe më tutje, unë nuk e di çka ka ndodhë. Kam qenë vetëm në fillim. Kam lëvizë bashkë me kandidatin për kryetar Fejzi Kiqina dhe deputetin Gani Krasniqi” tha mes tjerash ai.
Dugolli distancohet nga ky veprim i simpatizantëve të partisë së tij duke thënë se është kundër çdo gjuajte me armë që mund të shkaktoj rrezik.
“Jam kundër sepse çdo gjuajte me armë mund të rrezikon më ambiente të mbyllura. Unë nuk e di a është me gaz apo pa gazë po sidoqoftë jam kundër. Nëse ka ndodh aty shtënie me armë patjetër që distancohem dhe është gjest I papranishëm”, tha ai
Gazeta Insadjeri ka kontaktuar edhe policinë në drenas të cilët kanë thënë se nuk janë në dijeni për rastin dhe kanë refuzuar të flasin më shumë./Gazeta Insajderi/