×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Gjuajtja me armë në Zllatar, ngrihet aktakuzë ndaj 14 policëve

    Insajderi
    20 February 2024 - 15:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se Prokurori i Shtetit, pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj katërmbëdhjetë zyrtarëve policor, të përfshirë në rastin e dt.18.02.2022, në fshatin Zllatar të Prishtinës.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj 14 zyrtarëve policorë lidhur me rastin në Zllatar të Prishtinës.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., më 18.02.2022, rreth orës 22:00, në fshatin Zllatar të Prishtinës, në një villë në këtë fshat, në të cilën kishin organizuar një aheng privat, jashtë detyrës zyrtare, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat për autorizimet e policisë dhe përdorimin e armës të parapara në Ligjin për Policinë, në atë mënyrë që në zhvillim e sipër të ahengut, kanë shtënë me armë zyrtare duke përdorur municion jozyrtar, gjersa ishin në tarracën e villës ku zhvillohej ahengu. Me këtë, secili prej tyre individualisht e kanë kryer veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Të pandehurit F.A., E.I., B.M., E.Th. dhe G.T., në datën, vendin dhe kohën e lartcekur, si dhe për arsye të njëjta gjatë përdorimit të armës në kundërshtim me ligjin, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e personave të pranishëm, andaj  me këtë kanë kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

    Ndërsa, të pandehurit A.B., Xh.B., A.M., A.A., A.Z., I.S., Rr.A., V.Rr. dhe A.M., nuk i kanë lajmëruar veprat penale të lartcekura, në atë mënyrë që nuk i kanë raportuar të shtënat me armë zjarri të bëra nga kolegët e tyre-të pandehurit gjatë ahengut ku kanë qëndruar së bashku, andaj me këtë kanë kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre”.

    Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark