Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur në rrugën “Transiti i Ri” në Prizren në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Gjithçka ndodhi si shkak i një fjalosje, siç njoftoi policia. Insajderi merr vesh se në rast janë të përfshirë të dy bijtë e Beqir Hoxhës, të njohur me nofkën “Beqa”. Ndaj tij ekzistonte një dosje e madhe që e akuzonte për fajde. Insajderi ju sjell detaje ekskluzive:
Në ora 2 të mëngjesit të së mërkurës në një parking në pikën e shitjes së derivateve është shkrepur arma e zjarrit. Të plagosur kanë mbetur dy persona, të cilët gjenden jashtë rrezikut për jetë.
“Pas shkrepjes së armës persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në emergjencën e Spitalit Rajonale të Prizrenit. Dy nga të dyshuarit gjinden në trajtim mjekësor, gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jete, kurse të dyshuarit tjerë janë në kërkim”, ka njoftuar Policcia sot.
Insajderi merr vesh se në këtë rast janë të përfshirë dy të bijtë e “Beqës”. Sipas burimeve brenda Policisë, njëri nga ta ka mbetur i plagosur, kurse tjetri gjendet në arrati.
Rasti është cilësuar si “Vrasje në tentativë “ dhe “Mbajtje në pronësi. kontroll, posedim apo shfrytëzim i pa autorizuar i armës”.
Kush është “Beqa”, i akuzuari për fajde?
Insajderi kishte raportuar për një dosje të gjatë ndaj “Beqës”, të akuzuar për fajde. Fajdja e tij kishte kamatë deri në 200 euro dita. Për gjashtë mijë euro borxh, fajdja e kishte trashur borxhin e viktimës në 78 mijë sosh.
Prokurori i shtetit, Petrit Kryeziu e kishte përshkruar në detaje këtë takim në aktakuzën që ka ngritur kundër Beqir Hoxhës, shqyrtimi fillestar i së cilës tash ka nisur në Gjykatën Themelore në Prizren.
Atë ditë, pasi që “Beqa” i kishte pranuar paratë në një situatë ku krejt takimi po incizohej, në ora 14:12 e 27 sekonda do të përfundonte në pranga. Paratë iu kishin kapur nga autoritetet kompetetne në xhep.
Për disa vite radhazi, një hua –borxh, që nisi me 6 mijë eurosh, me ndryshime të herë pas hershme të shumave do të arrinte në 78 mijë euro të kthyera nga viktima tek i akuzuari “Beqa”- krejt në emër të fajdeve.
Vetëm një ditë para se Prokurori Petrit Kryeziu të merrte vendimin për të ia vënë prangat “Beqës”, i akuzuar tash për fajde, viktima e tij, F.S. kishte shkuar në Prokurori. Kishte bërë një kallëzim penal, gojarisht, tek Prokurori.
Ai kishte rrëfyer para Prokurorit se në vitin 2018 nga “Beqa” mori shumën prej 3000 euro, pas 2 muaj sërish 2000 euro, por në vitin 2016 babai i tij Sh. S. nga i njëjti kishte marrë shumën prej 6000 euro.
“Për këtë shumë ka qenë në dijeni dhe ka qenë obligimi i tij për t’i kthyer sepse gjatë tërë kohës edhe pas vdekjes së babait të tij në vitin 2021 i kishte paguar personalisht ai. Që nga fillimi të hollat i kishin marrë me interes dhe për to kishin paguar kamata te Beqiri. Kamata për 6,000 euro, ka qenë që çdo muaj ti paguan nga 600 euro, ku vet i dëmtuari i kishte paguar këto të holla, menjëherë me rastin e dhënies së shumës prej 6,000 euro, i pandehuri i kishte ndalë 600 euro, pra babai fizikisht i kishte marrë 5,400euro, ku nga qershori i vitit 2016 deri në prill të vitit 2023 vazhdimisht ka paguar kamata prej 600 euro, për 6 vjet e 10 muaj, në total i bije që ka paguar interes 49,000 euro”, thuhet në aktakuzën kundër Beqir Hoxhës.
Hoxha ka qenë së paku katër herë i dënuar për vepra të ndryshme penale.
Ai kishte qenë i dënuar për veprën penale lëndim i lehtë truporë, lëndim i rëndë trupor, në rastin e tretë për lajmërim të rrejshëm dhe një herë për “Vepra të rënda kundër sigurisë së komunikacionit”.
Insajderi kishte raportuar se “Beqa” është familjar i ish-kryetarit të Gjykatës në Prizren, Ymer Hoxhës.
Lexo raportimet e Insajderit: