Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka ironizuar me notën e Prishtinës që ia ka bërë BE-së lidhur me vizitën e tij në veri të Kosovës pa lejen e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, e cila kishte ndaluar atë të hynte në territorin e Kosovës.
Hyrjes së tij ilegale në veri të Kosovës dhe qëndrimit të tij në veri të Mitrovicës ia kanë parë sherrin komandanti i Stacionit të Policisë në veri të Mitrovicës dhe shefi i Operativës, të cilët janë suspenduar për 48 orë, si dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq, i cili është shkarkuar me një vendim të kryeministrit Mustafa.
Por, Gjuriq – siç raportojnë mediet lokale serbe në veri të Kosovës – u ka thënë gazetarëve në Prokuple të Serbisë se nota e protestës së Prishtinës, që ia ka bërë BE-së për shkak të ardhjes së tij në veri të Kosovës pa lejen e Prishtinës, të enjten, është muzikë për veshët e tij.
“Nota e protestës së Prishtinës që e ka dërguar në BE është muzikë për veshët e mi. Sa herë që dikush i kundërvihet lirisë së lëvizjes dhe është kundër të drejtave të njeriut, ai rrënon kredibilitetin e vet politik dhe pozicionin e vet politikë në bashkësinë ndërkombëtare, do të thotë ata edhe dërgojnë notë proteste,” ka thënë ai.
“Në vend të notës protestë do të ishte shumë më mirë që ata (Prishtina) t’u bien notave të paqes, notave të normalizimit të marrëdhënieve dhe lirisë së lëvizjes. Natyrisht se nuk e kam të qartë sesi diçka që nuk është shtet mund të dërgojë notë proteste kujtdo qoftë”, ka thënë Gjuriq, fjalët e të cilit i përcillnin mediet lokale në veri të Mitrovicës”, ka shtuar ai, përcjell Zëri.
Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se Gjuriq kishte hyrë fshehurazi në Kosovë përmes një autoambulance.