Gjykata Themelore në Prishtinë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj Nagip Krasniqit edhe për dy muaj, i cili dyshohet për korrupsion në cilësinë e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovë.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi zëdhënësja për informimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë Milinda Gashi.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit N.K, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka marr vendim dhe ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.K, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj.”, thuhet në përgjigjen e gjykatës.
Ndryshe, Krasniqi është arrestuar më 19 prill, pas bastisjeve që janë kryer nga Njësia e Veçantë e Hetimeve, në zyrën e tij në KEK dhe dy banesat e tij dhe i njëjti u dërgua në mbajtje.
Ai dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, “Ushtrim ndikimi” dhe “Konflikt interesi”.