Në Komunën e Ferizajt nga viti 2017 lejet ndërtimore janë dhënë kryesisht bazuar në dokumentin: Plani Zhvillimor Komunal (PZHK). Gjykata Administrative në Prishtinë e ka shfuqizuar një leje që nga Qeveria, dikasteri përkatës, i ishte dhënë PO-ja këtij dokumenti. Opozita dhe shoqëria civile atje ngre akuza kundër pushtetit të PDK-së, por edhe ngritët dilema: çka do të ndodhë me ndërtimet milionëshe që janë bërë për këto vite sa është në funksion ky plan.
Gazeta Insajderi
Gazeta Insajderi për muaj të tërë ka raportuar për ndërtime shumëkatëshe në zona ku më herët lejohej ndërtimi i shtëpive, por jo edhe i rrokaqiejve. Këto leje që nga viti 2017 jepeshin me dokumentin : Plani Zhvillimor Komunal (PZhK).
Sipas dokumentit që ka siguruar Gazeta Insajderi, ky dokument tashmë rrezikon të shfuqizohet, kjo pasi që një Gjykatë në Prishtinë veçse ka marrë vendim që pëlqimi që para miratimit të tij në Kuvendin Komunal të Ferizajt u mor nga Ministria atëherë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, është shfuqizuar.
Menjëherë pas shfuqizimit të këtij dokumenti, që prejk PZhK-në, e në bazë të të cilit janë lëshuar leje ndërtimore edhe për komplekse banesore me vlera milionëshe, me reagime ka dalë shoqëria civile e opozita në Komunën e Ferizajt.
Kenan Gashi, Drejtor Ekzekutiv në rrjetin e OJQ-ve AVONET ka deklaruar se si organizatë janë të shqetësuar me heshtjen e institucioneve për këtë zhvillim.
“AVONET ngrit shqetësimin e thellë se si Komuna e Ferizajt, Ministria (e Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës) dhe Prokuroria deri më tash nuk kanë marrë asnjë veprim konkret për ti trajtuar pretendimet e tyre, sidomos Komuna dhe Ministria tek të cilët qytetarët kanë paraqitur ankesat e tyre”, ka thënë Gashi në një prononcim.
Ai ka qenë më i ashpër me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
“Është më shqetësuese se si Prokuroria Themelore e Ferizajt me vite të tëra ka hezituar që të marrë veprime konkrete mbi pretendimet konkrete që kanë paraqitur qytetaret. Ne themi që Prokuroria është pjesë e një krimi urgan duke mos vepruar me vite të tëra. Kemi raste kur Prokuroria ka mbyllur raste të tilla duke mos trajtuar në mënyrë serioze pretendimet e qytetarëve sidomos për vendimet e lejeve ndërtimore nga viti 2017. Dh, kjo është dëshmi e argument që në këtë zhvillim nuk është i përfshirë vetëm një institucion, por një gamë e institucioneve në krimin urban”, ka thënë Gashi.
Në një konferencë ka reaguar edhe Lëvizja Vetëvendosje në Ferizaj, ku në konferencë ishte edhe deputeti Dimal Basha.
Basha ka thënë që me këtë vendim të Gjykatës, zyrtarët e përfshirë në këtë rast duhet të përfundojnë në burg. “Jemi duke folur për një krim. Për këtë ka njerëz përgjegjës”, ka thënë Basha.
Edhe Lulzim Aliu, nënkryetar i Komunës së Feriajt kanë dalë me një konferencë duke reaguar për këtë vendim.
Sipas tij, është anuluar vetëm pëlqimi i Ministrisë së Mjedisit për PZhK-në, por jo edhe vet ky dokument i Komunës, ose vendimi i Kuvendit Komunal të Ferizajt për miratimin e këtij plani në bazë të të cilit janë dhënë lejet.
Ai tha në konferencë se lejet ndërtimore nuk janë të bazuara vetëm në PZhK, por edhe në Ligjin për ndërtim.
Sipas vendimit që ka siguruar Gazeta Insajderi, Gjykata në Prishtinë ka anuluar një dokument bazë të PZhK-së në Ferizaj, pra pëlqimin që para miratimit në Kuvendin Komunal këtij plani i kishte dhënë Ministria atëherë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tash Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që drejtohet aktualisht nga Liburn Aliu.
Lexo edhe këto raportime të Insajderit: