×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Prokuroria e Ferizajt urdhërohet ta hetojë Nënkryetarin për banesat e multimilionerit Grainca

    Insajderi
    30 June 2023 - 15:44
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Prokuroria Themelore në Ferizaj e kishte mbyllur një rast të nisur në vitin 2018 e ku subjekt hetimi ishte Nënkryetari aktual, Lulzim Aliu, në atë kohë Drejtor i Urbanizmit. Kjo Prokurori është urdhëruar nga Prokuroria e Apelit që ta hetoj edhe një herë këtë rast, e që është për lejet dhënë një familjarit të  biznesmenit Fatmir Grainca, dhe disa personave të tjerë, por që ndërtimin e ka bërë firma e Granicës, “HIT Imperial”

    Gazeta Insajderi

    Në shtator të vitit 2018 Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte pranuar një kallëzim penal kundër Lulzim Aliut, atë kohë Drejtor i Urbanizmit dhe Mjedisit. Rasti ishte hapur për një leje ndërtimore lëshuar Fahredin Graincës, Adem Ismailit, Kadrush e Kurtesh Ajdarit.

    Leja u ishte lëshuar këtyre personave, por aty ndërtimi tash del që është kryer nga “HIT Imperial”, pronë e multimilionerit Fatmir Grainca.

    Shumë pak kohë pas denoncimit Prokuroria Themelore në Ferizaj kishte nisur hetimin kundër Lulzim Aliut nën dyshimin për veprën penale të keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

    Kishin nisur hetimet dhe madje kishin thënë që pezullohet ndërtimi deri në përfundimin e hetimit penal. Këto veprime i mori në shtator 2018.

    Vazhdoi me hetim edhe në qershor 2020, gati dy vite më vonë ku e autorizon Policinë e Kosovës  që të kryen intervista me zyrtarë të urbanizimit në Komunën e Ferizajt, me denoncuesin e rastit, por edhe të intervistohej si i dyshuar Lulzim Aliu, tash nënkryetar i Komunës. Qellim i hetimit ishte të zbulohej se kjo leje a ishte lëshuar në mënyrë të ligjshme.

    Për çudi, më 23 shkurt të këtij viti Prokuroria Themelore në Ferizaj nxjerr vendim që ta hedh poshtë kallëzimin penal që e kishte në sirtar që nga viti 2018 dhe të konstatoi se nuk ka gjetur prova që është kryer as një krim.

    Apeli detyron Prokurorinë e Ferizajt që ti hetoi edhe financat

    Edhe pse Prokuroria Themelore në Ferizaj e mbylli këtë rast, personi që kishte denoncuar këtë leje të dhënë në mënyrë të dyshimtë, ani pse tashmë ndërtimi është përfunduar, nuk është ndaluar.

    Ai ka bërë ankesë në Prokurorinë e Apelit.

    Në vendimin e këtij institucioni, një kopje që e ka siguruar Insajderi, i nxjerr më 20mars të këtij viti e obligon Prokurorinë në Ferizaj që të hetoj në këtë rast, pasi që siç thotë Prokuroria e Apelit, ajo në Ferizaj nuk ka dhënë arsyetimin se pse është mbyllur rasti kundër Lulzim Aliut, tash nënkryetar i Komunës së Ferizajt.

    Apeli konstaton se Prokuroria në Ferizaj nuk ka dhënë arsyetime konkrete për mbylljen e hetimit, por vetëm të përgjithshme, prandaj Apeli vije në përfundimin se duhet “ndërmarrje e veprimeve shtesë, dhe sipas nevojës edhe nxjerrje e aktvendimit për fillimin e hetimeve mbi veprën që i atribuohet të dyshuarit (Lulzim Aliut, në këtë rast)”, thuhet në vendimin që e ka siguruar Insajderi.

    Prandaj, për shkak të mungesës së arsyeve të dhëna nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, në rivendosje, prokuroria e shkallës së parë duhet të evitoj të metat e evidentuara si në këtë aktvendim, të japë arsye konkrete në raport me pretendimet e të dëmtuarit, si dhe të marrë veprimet procedurale-hetimore shtesë, përkatësisht të intervistohet rishtazi pala e dëmtuar, lidhur me të gjitha pretendimet e tij, gjithashtu të intervistohen në cilësinë e dëshmitarëve palët që janë pajisur me leje ndërtimore: Fahredin Grainca, Adem Ismaili, Kadrush e Kurtesh Ajdari”, thuhet në këtë vendim të Apelit.

    Apeli pastaj shkon tutje, duke kërkuar edhe hetim financiar si dhe efektet e një vendimi që po në lidhje me këtë rast është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti Civil-Administrativ.

    “…të shikojë mundësinë për hetime financiar, si dhe të ketë parasysh efektet juridike të aktgjykimit A.nr.1497/2020, të datës 23.02.2023, të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative. Sipas nevojës, Prokuroria të ndërmarrë veprime tjera hetimore shtesë me qëllim të zbardhjes së kësaj çështjeje penale, të vlerësojë ligjshmërinë dhe provueshmërinë e provave që rrjedhin nga hetimet, dhe pastaj të merret një vendim i drejtë dhe i ligjshëm”, thuhet në vendim.

    Në këtë vendim të Prokurorisë së Apelit cekte se Gjykata në Prishtinë, në procedurë civile ka vendosur që leja dhe kushtet e ndërtimit në po këtë leje, që ishte nënshkruar ë atë kohë si Drejtor i Urbanizmit nga Lulzim Aliu ishte e kundërligjshme.

    Për më tepër, i dëmtuari në ankesë lidhur me bazën ankimore efektet juridike të Aktgjykimit A.nr. 1497/2020, dt.23.02.2023, i nxjerrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, thekson se: kundërligjshmëria e vendimit për ricaktimin e kushteve ndërtimore nr.04-351/01-0027618, dt.30.03.2020, dhe vendimit për leje ndërtimore nr.04-351/02-0030187/20, dt.21.05.2020, nga Drejtoria për Urbanizëm dhe të nënshkruar nga i dyshuari Lulzim Aliu, si dokumente administrative që përbënin objekt të kryerjes së veprës penale për të cilën është denoncuar i njëjti, është vërtetuar aktgjykimin i sipërshënuar, me të cilin është vendosur anulimi i këtyre vendimeve dhe me këtë aktgjykim është detyruar MMPHI dhe Komuna e Ferizajit, që brenda 15 ditëve, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm të zbatojnë aktgjykimin”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Prokuroria e Apelit madje i mban edhe mësime bazike asaj në Ferizaj, se si duhet të hetohet, për një rast ku i dyshuar ishte ish-Drejtori i Urbanizmit, tash Nënkryetar i Komunës, Lulzim Aliu.

    Është fakt që në këtë fazë të procedurës penale sigurohen prova të pranueshme dhe se kuantumi dhe cilësia e tyre duhet vlerësuar në kontekst të vërtetimit të ekzistimit të dyshimit të arsyeshëm si standard për nxjerrjen e aktvendimit për fillimin e hetimeve apo ngritjen e aktakuzës, përndryshe stadi i hetimeve dhe grumbullimit të informatave nuk do të kishte kuptim dhe do të shndërrohej në një çështje formale, që bie ndesh edhe me vet konceptimin e fazës së hetimeve dhe grumbullimit të informatave që i është bërë nga ligjvënësi në këtë fazë”, thuhet tutje në këtë vendim të Apelit.

    Telashet e ferizajasve me multimilionerin Grainca, mikun e Kryetarit Agim Aliu

    Insajderi në vazhdimësi ka raportuar për një telashe të re që banorët e Ferizajt në rrugën “Gzim Sahiti” kanë me një kompleks tjetër që po e ndërton multimilioneri Fatmir Grainca, që në publik është edhe mik i kryetarit të Ferizajt nga radhët e PDK-së, Agim Aliu.

    Aty banorët madje kanë mbajtur edhe protesta për të mos e lënë që të vazhdoi ndërtimi i kompleksit prej 11 kateve të këtij biznesmeni, por pa sukses.

    Madje, sic ka treguar në një reagim rrjeti i OJQ-ve, AVONET, disa qytetarë, gjithmonë sipas kësaj organizate, janë gjobitur jashtëligjshëm nga Policia e Kosovës, Stacioni në Ferizaj, po për protestën e tyre kundër këtij ndërtimi.

    Pas shumë raportimeve, Prokuroria Themelore e Ferizajt, javë më parë kishte konfirmuar për Insajderin se ka nisur hetimet për ndërtimin 11 katësh të Fatmir Graincës, pronarit të HIT Imerial.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Ferizaj, lidhur me këtë rast është në fazën e grumbullimit të provave dhe informacioneve, për shkak të dyshimit të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhej në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Ferizajt për Gazetën Insajderi.

    11 katshja e milionerit Fatmir Grainca i kishte detyruar banorët e Lagjes së Re të nisin protestën në tenda madje.

     “AVONET, në vazhdimësi ka shprehur shqetësimin lidhur me vendimet e lejeve ndërtimore në Komunën e Ferizajt, e veçanërisht vendimin e lejes ndërtimore të datës 03.05.2023 në emrin e “HIT PETROLL” shpk, që sipas AVONET, ky vendim për leje ndërtimore me numër të vrojtimit të lejes 04-351/01-0022975/23 për parcelën kadastrale me numër 3342-1 ZK Ferizaj, që ndodhet në rrugën “Gëzim Sahiti” në Ferizaj me pronar: “HIT – Petroll” shpk Ferizaj me emrin e projektit: “Objekt i banimit me afarizëm me etazhitet B+P+8+PH, që sipas AVONET është në kundërshtim me Ligjin Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, sepse janë ka dhënë kushtet ndërtimore me PZHK dhe me Ligjin e ndërtimit 04/L-110 neni 18, UA 06/2017″, thuhej në reagimin e AVONET, shkruan Gazeta Insajderi.

    Komuna e drejtuar nga Agim Aliu dyshohet se e favorizoi Graincën, e lejon ta ndërtojë 11 katëshen, për të cilën tashmë ka denoncime publike se është e jashtëligjshme.

    Për nisjen e këtij ndërtimi një interpretim e kishte dhënë edhe Ministria e Mjedisit “ku është theksuar se “Kushtet Ndërtimore nuk mund të lëshohen duke u bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, sepse sipas nenit 15, paragrafi 1, të Ligjit Nr.04/L-174 për Planifikimin Hapësinor, Plani Zhvillimor Komunal është dokument orientues strategjik, i cili nuk përcakton rregulla, kushte dhe detaje tjera të nevojshme për ndërtim/zhvillim”.

    /GazetaInsajderi.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark