Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit për kryetar të Komunës së Mamushës, Abdulhadi Krasniç, përfaqësues i subjektit politik Kosova Demokratik Turk Partisi, me seli në Prizren-Dega në Mamushë.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka konfirmuar aktvendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të datës 25 tetor, duke konstatuar se nuk ka pasur shkelje që do të arsyetonin ndryshimin e rezultatit apo përsëritjen e procedurave.
“Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Abdulhadi Krasniç, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën e konteston ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së. duke pretenduar për vlefshmërinë e votave të ardhura nga diaspora dhe dyshimet për keqpërdorime në procesin e votimit”.
“Ankuesi ka pretenduar se ekziston dyshimi i bazuar se disa persona të përfshirë në procesin e votimit nga diaspora kanë ushtruar të drejtën e votës në kundërshtim të drejtpërdrejtë me dispozitat kushtetuese”, thuhet në arsyetimin e vendimit.
Supremja thekson më tej se duke u nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranoi në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së dhe konstatoi se ankesa e paraqitur është në tërësi e pabazuar.