E shenjta UÇK! E shenjtë është liria për të cilën luftuam e u derdh gjak. Historia jonë nuk rishkruhet. Drejtësi për çlirimtarët!
Nga: Agron Blakaj
Pas tetë vitesh hetimesh dhe burgimi, Giordano Bruno u dogj në turrën e druve më 17 shkurt 1600, në Romë, në sheshin Campo de’ Fiori.
Thuhet se fjalët e tij të fundit ishin:
“Ju po më digjni mua, por mendimet e mia nuk do t’i digjni dot.”
Bruno u dënua sepse guxoi të mendonte ndryshe, sepse nuk pranoi ta mohojë se universi është i pafund dhe se njeriu ka të drejtë të kërkojë të vërtetën.
U dogj fizikisht, por idetë e tij nuk u dogjën dot.
Katër shekuj më pas, pas gjykatës që dikur mblidhte turra të druve për zjarre, kjo gjykatë speciale mblidhte fakte sharlatane me justifikimin se kërkon drejtësi, por shpesh duke harruar vetë frymën e saj.
Prandaj, historia e Brunos të kujton vetvetiu Gjykatën Speciale për Kosovën dhe pyetjen e hidhur: A do të triumfojë drejtësia këtë herë?
Shpesh dëgjohet: “Kjo gjykatë ka dalë nga binarët.”
Por më duhet t’ju pyes: kur ka qenë ajo në binarë?
Vetë arsyeja e themelimit të saj ishte e paqartë, akuzat fillestare që as nuk u përmenden më, dhe që nga fillimi mbeti e diskutueshme në themele.
Si mund të quhet “në binarë” një gjykatë që synon të gjejë arsye për t’i dënuar ata që simbolizojnë udhëheqjen e luftës së një populli për liri?
Një mik më pat thënë, me ironi të përzier me frikë:
“Frikësohna se kanë me gjetë arsye që me i dënu për armëmbajtje pa leje gjatë luftës.”
Kjo fjali, e thënë disi në shaka, fsheh një realitet të dhimbshëm: frikën se dënimi tashmë është shkruar, dhe se provat e kohëzgjatja thjesht kërkohen për ta arsyetuar.
Në këtë dritë, Çlirimtarët, sikurse Giordano Bruno, nuk do jenë më vetëm figura historike – ata do jenë metaforë e përjetshme e çdo njeriu që dënohet për bindje e vlera, e jo për faj.
Dhashë Zoti ta kem gabim!