
Përkundër premtimeve të avokatit Besnik Berisha, i mbrojturi i tij- i akuzuari për fajde Ismet Osmani, i njohur me pseudonimin ‘Curri’, mungoi sërish në seancën e caktuar për 8 tetor. Tani, mbrojtja kërkoi përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.
Curri tashmë ka një urdhërarrest pasi dyshohet se është përfshirë në një tentim vrasje në 2024-ën në Graçanicë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai mungoi edhe seancën e 1 korrikut, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë vendim për t’ia revokuar masën e dorëzanisë prej 50 mijë euro.
Por, Gjykata e Apelit pas kthimit dy herë në rivendosje, herën e tretë kishte vendosur të lë në fuqi masën e dorëzanisë, duke i besuar premtimeve të avokatit se Curri se i njëjti do paraqitej në seancën e sotme.
Në këtë rast, Ismet Osmani-Curri, Sami Nika, Ilir Bojku dhe Mentor Maqani akuzohen për veprat penale “Fajde” dhe “Detyrim”. Ndërkaq, i akuzuari Adil Thaqi ngarkohet me veprën penale “Mashtrimi”.
Në seancën e sotme, u bë e ditur se avokati Besnik Berisha, ka bërë kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Medie Bytyqi.
“Ne dje kemi dorëzuar kërkesën për përjashtimin tuaj, kërkesa është dërguar edhe në e-mailin e juaj edhe në e-mailin e kryetares. Ky mjet juridik i cili imponon ndërprerjen e çdo veprimi të gjykatës deri në vendimmarrje të formës së prerë”, u shpreh avokati Berisha.
Mungesën e Currit, Berisha e arsyetoi me këtë kërkesë.
“Në fakt as zotëri Ismet Osmani e as unë nuk kishim në plan për të marrë pjesë në këtë seancë por unë erdha vetëm për korrektësi”, tha Berisha.
Se cilat janë arsyet që avokati Berisha ka kërkuar përjashtimin e gjykatëses, nuk u bë e ditur në seancë.
“Për arsyet e artikuluara në kërkese nuk kanë nevojë të shpalosen këtu”, tha tutje ai.
Kështu, deri në shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata nuk mund të marrë veprime në këtë rast.