Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet E.J., i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht një mjek kujdestar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor, rreth orës 00:35, në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar të QKMF-së, në rrugën “Ramadan Rexhepi”.
I dyshuari kishte dërguar babanë e tij, i cili ishte në gjendje të dukshme të dehur, për të marrë ndihmë mjekësore. Derisa personeli po i ofronte trajtimin, ai dyshohet se kishte ndërhyrë dhe kishte ushtruar presion ndaj stafit mjekësor.
Pasi i ishte kërkuar të largohej nga dhoma për të mundësuar trajtimin e pacientit, E.J. dyshohet se kishte refuzuar dhe më pas e kishte goditur me grusht në pjesën e majtë të fytyrës mjekun kujdestar, F.F.
Prokuroria ka bërë të ditur se i dyshuari po mbahet në ndalim prej 48 orësh, me vendim të prokurorit të shtetit, që nga 1 nëntori.
Ai dyshohet për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”. /Insajderi.org/