Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci thotë se kryetari i partisë Hashim Thaçi tashmë e ka të sigurt zgjedhjen President i Kosovës.
Sipas Grabovcit, koalicioni PDK-LDK ka raporte korrekte dhe se ky bashkëpunim është duke vazhduar.
“Kemi komunikim në baza ditore dhe koalicioni do të vazhdoj ta respektoj marrëveshjen e koalicionit dhe nuk ka asnjë dyshim për këtë”, ka thënë Grabovci në emisionin “Info Magazine”.
Madje sipas Grabovcit votimin e Hashim Thaçit për president të Kosovës nuk mund ta ndalë opozita me asnjë formë, madje as me protesta.
“Thaci i ka votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur president i Kosovës andaj askush nuk mund ta ndalë këtë. Është për të ardhur keq që opozita organizon protestë në ditën që do të duhej të ishte ditë feste për shtetin e Kosovës”, ka thënë Grabovci.
Ai ka thënë të jetë i bindur se deputetët e koalicionit kanë vetëdije të lartë, aq sa për të votuar Thaçin president.