Gratë deputete të PDK-së sot e kanë lëshuar seancën e Kuvendit si shenjë proteste për fyerjet që i janë bërë ministres së Drejtësisë Dhurata Hoxha, nga anëtari i Vetëvendosjes Sami Kurteshi i cili fillimisht e kishte quajtur “lopë” atë e pastaj edhe ‘kultivuese të kurvërisë politike’.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Zenun Pajaziti tha se është shqetësuese largimi i grave për shkak të deklaratave fyese që dalin nga politikanë në Kosovë.
“Duhet njëherë e mirë që këto të ndalen, diçka që po instalohet keq në skenën tonë politike”, tha Pajaziti.
Por këto deputete të PDK-së nuk vepruan njësoj kur deputetja Flora Brovina u quajt “Idiote” nga Adem Grabovi, e u shajt nga Bekim Haxhiu në bisedën telefonike të publikuar nga Insajderi në kuadër të përgjimeve “Dosja e Shefave”.
“Ish kanë Jeta n’Kosovë, ajo farë Flora Brovina, s’guxojke me ju përgjigj atynev. Shkoi u kuq, u sarrakuq aty”, i tregon Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, përmes telefonit Grabovcit.
“Ku, ku… ja kom qi nanën, ku ka shku ajo idiote”, nervozohet Grabovci.
Kamishi i thotë se Brovina nuk guxonte t’u përgjigjej, përfaqësuesve të veteranëve, Xhevdet Qeriqit e Xhavit Jasharit.
“Jo more, ja çkërdhefsha nanën. Ajo u shku e ka bo bërbllog atje n’komision, tash u munojke me mbrojt aty gabimet e veta. Aty u tut prej Xhavitit a s’guxoi me fol prej Xhavitit, as Qeriqit”, shton Kamishi.
Deputetet e PDK-së jo vetëm që nuk protestuan, si në këtë rast në mbrojtje të ministres Dhurata Hoxha, por ato në asnjë deklaratë publike në asnjë rast nuk kërkuan distancim ose kërkim faljen e ish shefit të grupit të tyre parlamentrë ndaj koleges së tyre Brovina, për këtë fyerje.
Brovina kishte “protestuar” e vetme ndaj fyerjes së bërë nga bashkëpartiakët. Ajo në seancën e 1 shtatorit ishte larguar nga pjesa e ulëseve ku rrinë deputetëve të PDK-së, duke u ulur te këndi ku ulen deputetët e pavarur.
Pas këtij veprimi, në fund të seancës kishte shkuar vet Adem Grabovci për t`i kërkuar falje, që sipas pamjeve të publikuara nga mediat ai shihej duke e përqafuar Brovinën. /Insajderi.com