×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Gruaja e mbuluar, emancipim apo diskriminim?

    Insajderi
    11 August 2022 - 10:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Shkruan: Sead ZIMERI

    Shteti nuk është agjent në këtë proces transformues kulturor. Shteti ka vetem një mision: të garantojë lirinë e secilit individ të bëhet ajo që deshiron dhe të praktikojë cilën do fe apo filozofi jofetare që asaj i pëlqen

    Pas postimeve në rrjete sociale “për” dhe “kundër”, pak ka mbetur për t’i shtuar këtij diskutimi, por do të doja t’i përgjigjem disa vërejtjeve se pse duhet mbrojtur të drejtën e gruas së mbuluar për t’u bërë pjesë plotësisht e barabartë me qytetarët tjerë.

    Unë e bëj për dy arsye. Arsyeja e parë është arsye afektive-emocionale. Gruaja e mbuluar stereotipizohet, tallet, përqeshet, shikohet si alien, trajtohet si primitive, si e shtypur, si jo e aftë për të kuptuar që mbulesa është praktikë shtypëse. Pa bërë gjeneralizime në shoqerinë tonë gruaja është e shtypur (për format e ndryshme të shtypjes – shfrytëzimi, margjinalizimi, pafuqia, imperializmi kulturor dhe dhuna-lexo esetë e Iris Marion Young, “Five Faces of Oppression”, dhe Marilyn Frye, “Opression”) por gruaja e mbuluar është dyfish e shtypur. Ajo është e shtypur nga normat shoqërore diskriminuese kundër grave në përgjithësi, dhe nga një shtresë e dytë shtypjeje. Asaj vazhdimisht dikush ia rikujtojton që ajo nuk është në rregull. Gruaja e mbuluar pra është e shtypur nga shoqëria dhe nga agjentët që duan ta emancipojnë atë. Në këtë kategori përfshihen edhe gratë tjera që njëjtë si “burrat e emancipuar” mendojnë që një grua e mbuluar është grua e shtypur. Këto gra i bashknagjiten korit të burrave të emancipuar që duan ta shpëtojnë gruan nga vetvetja. Këta e bëjnë gruan e mbuluar të ndjehet jashtë trupit të saj, në siklet, e shqetësuar sa herë që del në publik. Sikur këto forma të shtypjes të mos mjaftonin, shteti kërkon t’i bashkangjitet këtij kori që don ta shpëtojë gruan muslimane nga feja dhe nga familja e saj. Duan ta emancipojnë me zor: ose do të emacipohet ose do të margjinalizohet tërësisht nga shoqëria ku jeton.

    Kjo formë e trajtimit të gruas së mbuluar më kujton një rast që na ndodhi bashkë me shoqen time të mbuluar në një lokal në Shkup. Bashkë me të hymë në një lokal në pjesën e maqedonase të qytetit. U ulum dhe deshëm të porosisim nganjë kafe. Na u afrua kamarierja jo për të marrë porosinë tonë por për të na dhënë mesazhin që nuk ishim të mirëseardhur aty. Na tha që aktualisht nuk kishin vende të lira andaj edhe nuk mund të na shërbente. Lokali ndërkohë ishte pothuajse bosh. Ishte e pamunduar për mua të mos e kuptoja që nuk dëshironin të na shërbenin për shkak që shoqja ime ishte e mbuluar. Asnjëherë nuk jam ndjerë më i diskriminuar dhe i padëshiruar sesa në atë moment. Nuk isha unë që po diskriminohesha, ishte shoqja ime. Megjithatë, unë u ndjeva i fyer sepse ajo u sulmua në praninë time. Kjo përvojë më shkaktoi plagë, më lëndoi rëndë, dhe më erdhi shumë keq për shoqen time. Asnjëherë nuk e harroj këtë moment. Përfytyroni tani ndjesitë që t’i shkakton diskriminimi! E pyeta pasi u larguam se si i përballon ajo këto diskriminime? Mu përgjigj: duke u tërhequr sa më shumë nga vendet publike. Shoqja ime nuk është e shtypur sepse është e mbuluar, por e shtypur nga një  imperializëm kulturor që “konsiston në universalizimin e përvojës dhe kulturës së një grupi dhe vendosjen e tij si normë (Young, 1988, 285). Shoqja ime u izolua ngaqë agjentë të emancipimit shoqëror nuk lanë hapësirë për të në sferën publike. Ata, jo feja, e shtypën shoqen time.

    Si duhet të reformohen praktikat që konsiderohen të jenë praktika shtypëse?

    Ndryshimi mund të bëhet në shumë mënyra dhe forma. Mund të bëhet edhe me dhunë, edhe me diskriminim, edhe me përndjekje, edhe me burgim, edhe me kërcënim për përjashtim nga shkolla nëse nuk i heqin shamitë. Por a duam të jetojmë në një shoqëri të tillë, ku për zgjedhjet tona duhet të kërkojmë leje nga shteti? Ka edhe një formë tjetër të ndryshimit, që bëhet përmes edukimit dhe arsimit. Sfera publike është për këtë punë. Aty shtrohen, diskutohen, kritikohen dhe mbrohen teza për praktikat shoqërore të ndryshme.

    Arsyeja e dytë ka të bëjë me identitetin e shtetit. Çfarë shteti duam të krijojmë? A duam shtet që ndërhyn dhe kontrolon se çfarë brekë veshim apo shtet që kujdeset për lirinë dhe mirëqenien tonë? Këto dy çështje janë të ndërlidhura, prandaj nuk ka kuptim ta mbrosh identitetin liberal të shtetit por të kërkosh politika joliberale.

    Tani ka filozofi të emancipimit shoqëror dhe politik që dëshirojnë ta çrrënjosin çdo formë të mundshme të shtypjes, ndoshta përmes përmbytjes së plotë të rendit shoqëror, apo pëmes ndonjë revolucioni total ku asnjë gjurmë e shypjes nuk mbijeton. Ka gjasa që ende ka njerëz që besojnë në distopi të tilla. Dhe nga diskutimet që kam ndjekur këto ditë një numër i madh i debatuesve argumentojnë sikur ata janë për një përmbysje të këillë të rendit shoqëror. Por, kuptohet, kjo dëshirë për emancipimim gjithëpërfshirës del të jetë jo më shumë se një paragjykim ndaj islamit dhe grave të mbuluara. Ata janë kundër shtypjes por jo kundër shtypjes nga e cila ata vetë përfitojnë. Pra dëshira pë ta emancipuar gruan është dëshirë e rreme.

    Pse emancipimi i plotë edhe pse i dëshirueshëm teorikisht nuk duhet vepruar në të? Arsyeja besoj është e qartë për të gjithë saqë është banale edhe të përmendet. Vështirë të pajtohemi të gjithë se çfarë përbën praktikë shtypëse. Por edhe nëse pajtohemi që një praktikë është shtypëse, vështirë të pajtohemi për mënyrat se si duhet ta ndryshojmë atë. Sipas anarkizmit, libertarianizmit dhe marksizmit ekzistenca e shtetit është në vetvete praktikë shtypëse. Në fakt shteti shtyp dhe shfrytëzoj më shumë se çdo praktikë tjetër e njohur në historinë e njerëzimit. Ndoshta komunizmi është shoqëria ku të gjithë emancipohemi nga çdo formë e shtypjes, por çështja është se si mund të arrijmë atje.

    Më lejoni t’i thjeshtëzoj përtej asaj që është e lejueshme në diskurse të këtilla praktikat emancipuese. Emancipimi është projekt politik dhe kulturor i modernitetit që lindi bashkë me lëvizjen e iluminzmit në shekullin XVIII, dhe pastaj zhvillohet në drejtime të ndryshme. Nga iluminizmi lindin edhe komunizmi edhe liberalizmi. Komunizmi merr qëndrim radikal në luftën kundër çdo forme të shtypjes. Jo vetëm elemente fetare por vetë feja konsiderohet shtypëse, opium i masave, dhe duhet të shkatërrohet. Pasojat e një filozofie të tillë i dimë mirë. Komunizmi ishte dhe mbetet lëvizje emancipuese por mënyra se si planifikoi ta arrijë emancipimin shoqëror duke përdorur shtetin ishte katastrofale, autoritare, dhe rezultoi në shkaterrimin e çdo potenciali emancipues të tij. Megjithatë marksizmi është filozofi që kërkon shkaqet e formave të ndryshme të shtypjes jo në fe por në format dhe mënyrat e prodhimit shoqëror.

    Liberalizmi po ashtu është levizje emancipuese por ai kërkon ta mbrojë individin nga shteti, nga ndërhyrjet e shtetit në sferën e besimit privat. E ndan pra shtetin nga individi dhe kërkon që shteti të mbrojë lirinë e individit pa bërë asnjë diskriminim në bazë të gjinisë, fesë apo ndonjë identiteti tjetër privat. Procesi i emancipimit liberal ështe i ngadalshëm, i gjatë, i pafundhëm. Por përderisa liberalizmi ka këtë qëndrim, ai nuk mund ta përdorë shtetin që t’i detyrojë një grup njerëzish të ndryshojnë në emër të emancipimit shoqëror dhe kundër dëshirave të tyre. Emancipimi në liberalizëm bëhet përmes mënyrave informale, përmes kritikës së fesë, përmes ndriçimit të praktikave të shtypjes, përmes, pra, kanaleve joshtetërore. Shteti nuk është agjent në këtë proces transformues kulturor. Shteti ka vetem një mision: të garantojë lirinë e secilit individ të bëhet ajo që deshiron dhe të praktikojë cilën do fe apo filozofi jofetare që asaj i pëlqen.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark