×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Grupi i udhëhequr nga Nënkoloneli i Policisë sulmon me koktej pronën e IP-KOS, Inspektorati suspendon Valdet Bujupin

    Insajderi
    23 June 2021 - 15:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Inspektorati i Policisë e ka suspenduar nga puna Nënkolonelin Valdet Bujupi, pasi ky i fundit dyshohet se ka nxitur një grup njerëzish për ta sulmuar në vazhdimësi pronën e shoqërisë tregtare IP-KOS në Arllat të Drenasit. Sulmet nga marsi në qershor janë kryer me koktej dhe armë.  

    Shoqëria tregtare IP-KOS shpk, me pronë në Arllat, të komunës së Drenasit, është sulmuar disa herë nga një grup njerëzish.

    Zyrtarët e kësaj kompanie, pretendojnë se sulmet janë kryer nga persona të asaj ane, të udhëhequr nga zyrtari i Policisë së Kosovës, Nënkolonel Valdet Bujupi.

    “Shoqëria jonë është përballur me pengesa të shumta dhe të natyrave të ndryshme të nxitura dhe realizuara nga një grup lokal i prirë nga një oficer i lartë i Policisë së Kosovës – Nënkolonel Valdet Bujupi”, thuhet në letrën e IP-KOS shpk, drejtuar Aleksandër Lumezit, Prokurorit të Shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.

    I pari sulm, më i rëndë, sipas tyre ka ndodhur më 13 maj 2021, kur disa persona kanë gjuajtur me koktej molotovi në drejtim të kabinës së punonjësve të sigurimit. Krejt kjo sipas pretendimeve ka ndodhur në prani të policisë,

    “Më 13 maj 2021 në prani të Policisë së Kosovës, persona të panjohur kanë gjuajtur koktej molotovi në drejtim të kabinës së punonjësve të sigurimit, dhe janë larguar në drejtim të shtëpisë së Kolonel Valdet Bujupi, përkundër faktit që Policia ka qenë prezente – për këtë rast nuk ka raport të hapur në Policinë e Kosovës”, thuhet në letrën e IP-KOS shpk, drejtuar Aleksandër Lumezit, Prokurorit të Shtetit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sulmi tjetër ka ndodh më 6 qershor 2021, ditë kjo kur punonjësit dhe asetet e IP-KOS shpk, janë gjuajtur me armë zjarri.

    Sulmet ndaj kompanisë, sipas drejtuesve kanë ndodhur për shkak se Nënkoloneli Bujupi, e ka shfrytëzuar jo ligjërisht tokën të cilën tash e gjashtë muaj e ka nën menaxhim IP-KOS shpk.

    Kjo e fundit dhe komuna e Drenasit, në nëntor të vitit të kaluar e kanë nënshkruar kontratën për shfrytëzim afatgjatë të pronës së paluajtshme të komunës në fshatin Arllat, për ndërtimin e një kompleksi tregtar për shitjen e derivateve të naftës dhe ofrimin e shërbimeve tjera përcjellëse.

    IP-KOS është sulmuar vazhdimisht që nga fillimi i vitit, dëmtohet me 200 mijë euro

    Burim Leci, Drejtor Menaxhues i IP-KOS shpk, në letrën që i ka çuar Prokurorit të Shtetit, thotë se që nga momenti i nënshkrimit të kontratës, sulmet ndaj kompanisë nuk janë ndalur.

    Në letrën që ia ka çuar Prokurorit të Shtetit, Leci i ka renditur të gjitha sulmet e bëra ndaj kompanisë më pronë në Arllat.

    “Më 31 mars 2021, persona të panjohur kanë dëmtuar kamionët dhe buldozerët e kontraktorit të punimeve tona të ligjshme në Arllat, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale makinerive në fjalë, si dhe janë dëmtuar dhe rrëzuar rrethojat e vendosura nga ne për kufizimin e vendpunishtes dhe sigurimit të saj në pajtim me kornizën ligjore që rregullon sigurinë dhe shëndetin në punë”, thuhet në letrën e kompanisë.

    Një sulm tjetër ndaj kompanisë ka ndodh edhe më 8 prill, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Më 8 prill 2021, rreth mesnatës persona të panjohur kanë sulmuar vendpunishten tonë në Arllat dhe kanë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme tek ormani i energjisë elektrike dhe kanë rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e personave të angazhuar nga kompania jonë për të garantuar sigurinë e vendpunishtes dhe mjeteve të punës për kryerjen e punimeve ndërtimore të cilat ishin vendosur në vendpunishte”.

    “Si pasojë, është kërkuar nga Policia e Kosovës asistencë dhe prani e vazhdueshme në afërsi të vendpunishtes në Arllat me qëllim të largimit të pengesave për realizim të posedimit të papenguar të pronës”, sqaron Leci.

    Ai tregon se kompania që e menaxhon është sulmuar edhe më 13 maj,16 maj dhe 4 qershor të këtij viti.

    “Më 13 maj 2021 jemi njoftuar se rreth orës 20.30 persona të panjohur, në prani të Policisë së Kosovës, kanë hedhur kokteje Molotovi (shishe të mbushura me benzinë) në drejtim të kabinës së punonjësve të sigurimit, duke rrezikuar kësisoj jetën e punonjësve të sigurimit”, sqaron Leci.

    Leci thotë se personat e panjohur që dyshohet se e sulmuan objektin “janë larguar në drejtim të shtëpisë së Kolonel Valdet Bujupi, megjithatë Policia nuk ka përgatit raport në lidhje me këtë incident”.

    Me një rast tjetër që ka ndodhur me 16 maj 2021, rreth orës 23.30, sipas tij persona të panjohur kanë sulmuar me gurë punonjësit e sigurimit, “siç ka ndodhur edhe më 21 maj 2021 në orët e mbrëmjes, duke rrezikuar kësisoj jetën dhe shëndetin e punonjësve të sigurimit”.

    “Më 4 qershor 2021, persona të paidentifikuar kanë penguar zhvillimin e debatit publik për Pëlqimin e Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor, kanë kryer kërcënime dhe sulme fizike për të pamundësuar zhvillimin e këtij debati e madje edhe kanë dëmtuar pronën e kompanisë sonë gjatë këtij procesi”, kallëzon Leci, shkruan Insajderi.

    Ai poashtu thotë se nga sulmet e vazhdueshme, kompania e menaxhuar prej tij ka pësuar dëme materiale në vlerë prej rreth 200 mijë eurove, derisa tregon se të rrezikuar kanë qenë edhe punonjësit e tij.

    Madje, tregon se prej sulmeve të vazhdueshme rrezikon ta hup kontratën e nënshkruar me komunën e Drenasit.

    Gazeta e ka pyetur Prokurorin e Shtetit, Lumezin, se çfarë masash ka ndërmarrë ndaj Nënkolonelit Bujupi dhe gjithë rastit në fjalë, por nuk ka marrë asnjë përgjigje tash e 15 ditë.

    Përgjigje nuk ka kthyer as Policia, kur është pyetur nga Insajderi se çfarë veprimesh ka marrë për krejt këto sulme, dhe për pretendimet se pas tyre qëndron Nënkoloneli Valdet Bujupi.

    Inspektorati i Policisë suspendon Nënkolonelin Valdet Bujupi

    Inspektorati i Policisë së Kosovës e ka suspenduar nga puna Nënkolonelin Valdet Bujupi, pasi ky i fundit dyshohet se e ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Bashkë me të, për të njëjtin rast janë suspenduar edhe dy zyrtarë të tjerë policorë.

    Lajmin për Gazetën Insajderi e ka konfirmuar Arbër Beka, zëdhënës në IPK.

    “Hetuesit  e IPK-së janë duke hetuar një rast ku të dyshuar janë tre zyrtarë policor (një zyrtar policor me gradën e nënkolonelit, një rreshter policor dhe një zyrtar policor) me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës dhe autoritetit zyrtar”.

    Bazuar në hetimet e deritashme, sipas IPK-së, ekziston dyshimi se zyrtarët policorë  nuk kanë raportuar prova dhe fakte për të cilat ata kanë rënë në dijeni gjatë kryerjes së detyrës zyrtare lidhur me një punishte në Drenas.

    “Rekomandimi për suspendim është bërë në interes të procedurës hetimore përderisa hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime tjera hetimore për këtë rast në koordinim me prokurorin e shtetit”, përfundon përgjigja e IPK-së./Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark