Klauzola e largimit prej 50 milionë eurosh e Elseid Hysajt mund të jetë shumë e ulët, nëse ajo që raportojnë mediat angleze bëhet realitet. Pas Chelseat e Manchester United, në garën për mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare është shtuar edhe Manchester City i Pep Guardiolës.
Tekniku spanjoll po mundohet të rregullojë në të gjitha mënyrat një mbrojtje të Cityt e cila pëson gola thuajse në çdo ndeshje, dhe për këtë është duke kërkuar mbrojtës cilësor për skuadrën angleze që ai drejton.
Britanikja “Daily Star Sunday” raportoi sot se ndërsa Manchester United dhe Mourinho po bëheshin gati për një ofertë të parë prej 20 milion paund për mbrojtësin shqiptar që në janar, në garë është përfshirë edhe Chelsea i Antonio Contes.
Ky i fundit ka ndjekur ecurinë e Hysajt në Itali gjatë viteve të fundit dhe është i ndërgjegjshëm për aftësitë e mbrojtësit, ndaj tabloidi anglez ka sqaruar se tekniku italian po monitoron nga afër zhvillimin e tij.
Ndërkaq, Guardiola pritet t’i bashkohet garës sepse kërkon përforcime për krahun e djathtë të prapavijës, e cila ka lënë shumë për të dëshiruar në këtë sezon, duke pësuar 19 gola në 15 ndeshje, 7 vetëm në dy takimet e fundit në kampionatin anglez.
Tashmë mbetet të mësohet se si do të veprojë Napoli me futbollistin, por ashtu siç është shprehur menaxheri i tij pak ditë më parë, duket shumë pak e mundshme që lojtari të iki nga Italia që në janar.
Ndaj pritet që Hysaj të mbyllë vitin te skuadra italiane, para se të marrë në konsideratë transferimin apo jo në kampionatin anglez, ku ai është kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar. /Insajderi.com