×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Haiti ka nevojë përsëri për ndihmë ndërkombëtare

    Insajderi
    12 July 2021 - 13:59

    Misioni i fundit paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara ka lënë kujtime të këqija në vendin e varfër të Karaibeve. Por pas vrasjes së Presidentit Jovenel Moïse, ndihma e jashtme është e domosdoshme, thotë Isaac Risco.

    Haitin e kanë mallkuar, kanë shkruar në vitet e fundit shumë vëzhgues të dëshpëruar. Sigurisht, ky nuk është një shpjegim racional për historinë veçanërisht tragjike të shtetit shumë të varfër të Karaibeve. Përkundrazi, kjo fjali dëshmon për hutim, madje edhe pesimizëm, përballë spirales së dhunës, varfërisë dhe katastrofës në dukje të pafund në koloninë dikur të pasur franceze përtej detit. Tani është vrasja brutale e presidentit që po zhyt Haitin edhe më thellë në krizë.

    Kreu i shtetit Jovenel Moïse u vra nga një komando me sa duket mercenarësh të huaj në shtëpinë e tij në Port-au-Prince të mërkurën në mbrëmje.

    Sfondi i krimit është ende në errësirë. A është vrasja pjesë e një grushti shteti të planifikuar prej kohësh? Apo Moïse, i cili akuzohej për korrupsion dhe që po vepronte gjithnjë e më shumë në mënyrë autoritare, ra viktimë e një lufte bandash që e nxiti vetë? Nuk ka gjasa të ketë së shpejti përgjigje të qarta. Sepse në Haiti mbretëron kaosi – ky vend ka qenë në të vërtetë prej vitesh një shtet i dështuar.

    Dikur një bartës shprese

    Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2015, shumë vëzhgues dhe diplomatë në terren kishin shumë shpresa për të sapoardhurin në atë kohë në politikë, Jovenel Moïse. Pronari i një plantacioni bananesh i fitoi zgjedhjet – por ato u desh të përsëriteshin një vit më vonë për shkak të pretendimeve për mashtrim në zgjedhje. Moïse e nisi detyrën vetëm në shkurt 2017, dhe qeveria e tij nuk ishte kurrë e qëndrueshme.

    Që nga viti 2020, ai ka qeverisur vetëm me dekrete, pasi parlamenti u shpërnda në fund të periudhës legjislative dhe nuk qe e mundur të zgjidhej një parlament i ri. Një aparat shtetëror funksionues nuk kishte ekzistuar në Haiti gjithsesi prej një kohe të gjatë Luftat brutale të bandave së fundi i terrorizuan njerëzit e Port-au-Prince. Në vitet e fundit, Haiti është bërë një qendër për sindikatat kriminale që trafikojnë drogë nga Amerika e Jugut në Shtetet e Bashkuara.

    Komunitetit ndërkombëtar i është njëherë të ndërhyjë në Haiti. Në vitin 2004, Kombet e Bashkuara dërguan misionin paqeruajtës MINUSTAH në Karaibe pas rënies së Presidentit Jean-Bertrand Aristide. Por trupat MINUSTAH ishin të rrethuara nga skandali: helmetat blu nepaleze bartën kolera në vend pas tërmetit shkatërrues të vitit 2010 dhe shumë ushtarë u akuzuan për shfrytëzim seksual.

    Askush nuk mund të dëshirojë që Haiti të dështojë

    Kur u largua në vitin 2017, misioni paqeruajtës i drejtuar nga Brazili urrehej plotësisht nga pjesë të popullsisë.

    Sidoqoftë, është koha që bashkësia ndërkombëtare të mësojë nga gabimet e së kaluarës dhe të sigurojë mbështetje të re dhe më efektive për vendin më të varfër të kontinentit të dyfishtë amerikan. Sepse një dështim përfundimtar i Haitit nuk mund të jetë në interesin e askujt./DW.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark