Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka raportuar sot para deputetëve/ anëtarë të Komisionit për Ekonomi në lidhje me “Projektin e Konkurrueshmërisë dhe Gatishmërisë për Eksport-CERP huamarrje nga Banka Botërore”.
Gjatë këtij komisioni Hajdari u përball me pyetje rreth shkollimit të sekretarit të saj, Irfan Lipovicën.
Duke i quajtur shantazhe raportimet e mediave, ministrja mohoj se sekretarit i janë ndarë para për shkollim.
Sipas Hajdarit, për të u dhanë 4 mijë euro për trajnim profesional siç i takon me Ligjin për Shërbyesit Civil që të avancohet profesionalisht.
“Edhe këtu, sekretari ka të drejtë për një trajnim, pra ai ka kërkuar një autorizim nga ana ime për t’u trajnuar që i takon me Ligjin për Shërbyesit Civil dhe unë duke u thirrur, tash se kam ligjin me vete, por është një klauzolë ku çdo shërbyes civil ka të drejtën për avancim profesional dhe ky ka aplikuar në trajnimin për menaxhimin e projekteve sa më kujtohet dhe unë ja kam aprovuar me plot besim sepse është trajnim, nëse ju aludoni në shkollimin e tij nuk janë paguar 12 mijë euro nga projekti, janë vetëfinancim nga ana e tij, ju mund t’i verifikoni faturat”, tha ajo në komision.
Kryetari i komisionit, Ferat Shala ka insistuar në pyetjen se përse duhet dhënë 12 mijë euro për një trajnim, kur e ka falas trajnimin te Qendra e Inovacionit dhe Teknologjisë në Universitetin e Prishtinës.
Hajdari tregon se nga shuma prej 12 mijë eurosh, 8 mijë euro janë vetëfinancim për master nga vetë sekretari, ndërsa 4 mijë euro janë ndarë për certifikim të trajnimi.
“Ne nuk ja imponojmë zyrtarit, 12 mijë euro nuk janë. Nga 12 mijë euro, 8 mijë euro janë vetëfinancim, 8 mijë euro i ka për programin e tij master, për vetëm certifikim të trajnimit që është zhvillim profesional, ai i ka 4 mijë euro. Ai ka aplikuar te ne për aprovim të certifikimit për trajnim dhe ka kërkuar nga kabineti të cilin ja kam aprovuar dhe është e drejtë e tij”, u shpreh ajo.
Madje, ministrja kërkoi që të mos aludohet në shkollimin e tij.
“Mos aludoni në shkollimin e tij sepse po e thirrin gazetarët shkollim, po e thërras edhe unë sepse është vetëfinancim. Master programi i tij do të financohet nga vetë ai”, tha Hajdari.
Ky rast shkaktoi tensione në anëtarëve dhe u bë shkak që të ndërpre kjo mbledhje.
Gazeta Insajderi më 1 prill të këtij viti kishte raportuar se si Rozeta Hajdari kishte favorizuar sekretarin e saj, Irfan Lipovicën duke ia paguar shkollimin me paratë e këtij dikasteri.
Lipovica është zgjedhur për menaxhimin e 14.5 milionë eurove të projektit të Bankës Botërore, CERP. Por, paraprakisht atij i duhet shkollim, të cilin ministja Hajdari ia paguan në shumën prej 12 mijë eurove në Universitetin Amerikan, pikërisht nga projekti që do ta menaxhoj ai.
Pjesa e parë e këstit të shkollimit të Lipovicës, i kishte kushtuar ministrisë 4000 mijë euro.
Vetë Lipovica në formularin e deklarimit të pasurit në Agjencinë Kundër Korrupsionit, kishte konfirmuar se ka një borxh prej plotë 12 mijë euro për studime, në Universitetin Amerika në Kosovë (RIT-AUK). /GazetaInsajderi/