
Një audio-incizim i publikuar ka nxjerrë në pah dyshime të reja për keqpërdorim të pronës publike në Komunën e Deçanit, kësaj here të përfshirë është Valdrin Ramosaj, vëllai i kryetarit të kësaj komune, Bashkim Ramosaj.
Audioja është publikuar nga kandidatja për kryetare të Deçanit nga radhët e PSD-së, Natyra Kuqi. Ajo pretendon se Valdrin Ramosaj ka përdorur prona komunale – konkretisht disa vila në Qendrën Rinore dhe “Shtëpinë Alpine” në Deçan – për qëllime personale dhe në funksion të përfitimit të afërmve.
Në incizimin e publikuar, dëgjohet një zë mashkulli që identifikohet si Valdrin Ramosaj, duke komunikuar me një vajzë që shpreh interes për qëndrimin në vilat në fjalë.
“Unë jam Valdrini. Hajde motër, e ki pa pagesë prej neve. E kemi këtu një vend për turistë që vijnë me flejt. Janë villa. Janë Shtëpia Alpine. Më shkruaj në këtë numër në WhatsApp, këtu jam unë dhe ta nis menjëherë videon”, dëgjohet duke thënë Ramosaj.
Kandidatja Natyra Kuqi e ka quajtur këtë një “skandal të radhës” të lidershipit aktual në Deçan dhe ka bërë thirrje publike për transparencë e përgjegjësi.
“Ju ftoj ta dëgjoni dhe ta SHPËRNDANI audio-incizimin e këtij SKANDALI, që dëshmon përdorimin e pronës komunale për biznes nga vëllai i kryetarit Bashkim Ramosaj”, ka shkruar Kuqi në postimin e saj publik.
Video: