Tre persona janë të dyshuar për vdekjen e biznesmenit, 37 vjeçar, Bashkm Salihu i cili ka bërë vetëvrasje të martën në Çagllavicë. Skënder e Albion Tasholli, babë e bir tashmë të arrestuar po dyshohet se e shtynë drejt vetëvrasjes biznesmenin.
Ndërsa, Policia është në kërkim të personit të tretë. Insajderi mëson se Ekrem Gashi është personi i dyshuar që ndodhet në arrati.
Emri i tij është i njohur për organet e rendit. Ekrem Gashi i njohur si “Hekri” ishte i dënuar për plaçkitjen e orëve të shtrenjta “Rolex” në Mbretërinë e Bahrejnit.
“Hekru” ishte arrestuar në vitin 2013 në Morinë bashkë me pesë persona të tjerë, të dyshuar si pjesë e një bande kriminale që kanë grabitur një dyqan të “Rolex” në Bahrein me vlerë 1.4 milion dollar.
Raportimet e Insajderit për rastin e vetëvrasjes së Bashkim Salihut
Një rast tronditës ka ndodhur gjatë ditë së djeshme në Çagllavicë. Një i ri po dyshohet se vrau vetën. Babë e bir po dyshohet se e shtynë 37 vjeçarin drejt vdekjes. Skënder e Albion Tasholli dyshohen se kanë gisht në vetëvrasjen e B.Salihut.
Të njëjtit tashmë janë arrestuar nga Policia e Kosovës dhe janë dërguar në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin e kanë kryer veprën penale “shtytje në vetëvrasje”.
Skender Tasholli është anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Lipjan, ai ishte arrestuar edhe më parë nga Policia e Kosovës.
Insajderi ka mësuar se Albion Tasholli para një muaji e gjysmë kishte marrë një veturë të tipit “Range Rover” nga i vetëvrari.
Nga pamjet shihet se fotografia është realizuar në autosallonin “Luar” pronë e tashmë të ndjerit.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe avokatin e familjes Tasholli, por i njëjtit tha se nuk ka ndonjë informacion deri më tani për të ndarë me publikun.
Skënder e Albion Tasholli tashmë janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë policia është vënë në kërkim të personit të tretë.