Ajnishahe Halimi thotë se nuk e tradhtoi elektoratin, sepse me PDK-në nuk bëri pazare personale. “Unë nuk do të jem ajo që do të pranoj që Kosova të zhvillohet përmes korrupsionit”, ka thënë Halimi në një intervistë për “Zërin”. Një rrugë e ngushtë në fund të fshatit, poshtë përmendores së Kozhicës, çon në shtëpizën e Ajnishahe Halimit. Ajo jeton në qytezën e Skenderajt, por vikendet kryesisht i kalon në fshatin e prejardhjes së bashkëshortit të saj. Ish-anëtarja e “Vetëvendosjes”, e cila themeloi “Fraksionin +”, ditë më parë kaloi në Partinë Demokratike të Kosovës.
Tetë muaj, thotë se ka negociuar me udhëheqësit e PDK-së, që të bindet për t’u rreshtuar bashkë me “Fraksionin +” në këtë subjekt. Ndonëse, për kalimin e saj në PDK ka thënë se nuk kishte vënë asnjë kusht.
Ajnishahe Halimi ka rrëfyer për “Zërin” arsyet që atë e çuan në PDK, kritikat që ia ka bërë subjektit në të cilin është rreshtuar sikurse edhe “ndryshimin e papritur të saj”. (Zëri)