Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka paralajmëruar dorëheqje nga partia nëse ndodhin procese kundërthënëse mes tij dhe partisë në rastin e votimit të demarkacionit me Malin e Zi.
Haliti me origjinë nga Peja ka thënë në televizionin Dukagjini se nëse ai nuk e voton demarkacionin ndërsa PDK-ja si grup parlamentar po, atëherë nuk mbetet vend për të në këtë parti.
“Nëse partia voton, e unë jo, atëherë jap dorëheqje nga partia”, ka thënë Haliti në InfoBox.
Por vet Haliti nuk ka pranuar të deklarohet nëse do ta votoj ose jo versionin aktual të demarkacionit me Malin e Zi.
Demarkacioni me Malin e Zi është një nga kushtet e BE-së për Kosovën sa i përket liberalizimit të vizave, dhe kjo u pa edhe para dy dite, kur Gjeorgjia dhe Ukrania dy vende me të cilat Kosova ishte në grup për t’u heqjen e vizave, përfituan nga ky proces.
Opozita e ka bllokuar për më shumë se një vit, procesin e demarkacionit, duke penguar seancat parlamentare, ndërkohë që kundër këtij versioni kanë dalë edhe deputetë të LDK-së e PDK-së./Insajderi.com