Kryesues i delegacionit të Kuvendit të Kosovës në seminarin Rose Roth të Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s, Xhavit Haliti, tha se organizimi i mbledhjes në Prishtinë, u përcjell të gjitha vendeve të rajonit se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm por edhe i domosdoshëm për sigurinë në rajon dhe me gjerë.
Në seminarin Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që po mbahet në Prishtinë, po marrin pjesë më shumë se 100 pjesëmarrës, duke përfshirë gati 70 deputetë nga 21 vendet anëtare të NATO-s dhe vendet partnere.
Në takimin treditor do të diskutohet për perspektivën e Kosovës në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe rolin evolues të NATO-s në rajon, që pason Samitin e Aleatëve të Krerëve të Shteteve dhe të Qeverive, të mbajtur në muajin korrik, në Varshavë.
Ligjvënësit e NATO-s do t’i shqyrtojnë zhvillimet politike, socio-ekonomike dhe të sigurisë në Kosovë, perspektivat për bashkëpunim të mëtejshëm ekonomik rajonal, si dhe reagimin e Ballkanit Perëndimor ndaj sfidave që vijnë nga terrorizmi ndërkombëtar dhe menaxhimi i fluksit të migrimit nëpër Evropë, njofton televizioni publik.
Seminari është organizuar në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, Xhavit Haliti dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane.