Hamdi Ibrahimi, Kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka reaguar të enjten ndaj një letre të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili e akuzonte Ibrahimin për rrugaçëri.
Hasani të mërkurën kishte thënë se Hamdi Ibrahimi është treguar joprofesional dhe jo etik meqë ka thënë se Enver Hasani dhe kryetarja aktuale e kushtetueses, Arta Rama, nuk gëzojnë imunitet për punën që e kryejnë.
Por, Ibrahimi ka thënë se e gjithë letra e Hasanit është shpifje dh vije si pasojë e frikës së Enver Hasanit se ai do të trajtohet njëjtë si të gjithë të akuzuarit e tjerë në Gjykatën Themelore dhe pa iu bë ndonjë favor.
“Është gënjeshtër (rrenë) e kulluar se unë si kryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë në vitin 2015 kam kërkuar nga Kuvendi i Kosovës sqarim se tani i pandehuri Enver Hasani si kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka apo nuk ka imunitet në lidhje me çështjen penale për të cilën është duke u zhvilluar procedura penale”, thuhet në letrën e Ibrahimit.
“Për hir të opinionit dhe pozitës që e mbaj kam për obligim që z. Enver Hasani apo ligjërisht thënë tani të pandehurit Enver Hasani, por edhe Hasanëve të tjerë që janë pas tij, tu përgjigjem në këto pretendime që nuk janë asgjë tjetër veç shpifje, denigrime dhe gënjeshtra (rrena) të kulluara ( apo siç dikush preferon të thotë “puro”) që nuk do i shkonin për fytyre as edhe një rrugaçi”./Insajderi.com