Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti për mos shtyrjen e vendimit për targat.
Haradinaj ka thënë se Kurti ka gabuar duke mos e dëgjuar Amerikën pasi sipas tij, kjo e fundit e dinte skenarin që po përgatitej në Serbi.
“Aleati ynë më i sigurt Amerika duke e ditur skenarin e Serbisë për destabilizim në veri i ka kërkuar Kurtit me pezullu këtë vendim deri në marrëveshje që me e mbajt presionin në Serbi për marrëveshjen që në përmbajtje ka njohjen. Serbia ka arritë sot me e lënë Kosovën pa përfaqësim institucional në veri. Nga kërkesa për tu nënshkruar marrëveshja që ka njohje sot ndërkombëtarët i kërkojnë Kosovës asociacionin”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media, përcjell Insajderi.
Tutje, Haradinaj ka thënë se Kurti bashkë me demagogët e tij, e kanë kthyer procesin përfundimtar në diskutime për kthimin e serbëve në institucione.
“I kujt është Albin Kurti dhe për kënd punon qytetarët le ta vlerësojnë vet, unë e kam për detyrë të ua them të vërteten çdo herë. Kthimi nga Amerika është kthimi te rendi e ligji, ikja prej Amerikës është shkuarje në Moskë, s’ke ku shkon tjetër vetëm në Moskë ke me përfundu”, ka deklaruar i pari i AAK-së. /Insajderi