Udhëheqësi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka paralajmëruar ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, se “kurrë më nuk do të mund të ketë fuqi t’i fusë duart në Kosovë si shefi i tij, sepse ato do t’i priten”.
Këtë reagim Haradinaj e bëri pasi kryediplomati serb deklaroi sot se “Haradinaj do të jetë gjithmonë një kriminel për Serbinë”. Daçiq po ashtu tha se “Është vrarë një dëshmitarë kundër Haradinajt në Kosovë”.
E Haradinaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook, iu kundërpërgjigj Daçiqit duke e cilësuar atë një person të ngjashëm me ish-presidentin serb të akuzuar për krime lufte, Slobodan Millosheviq.
“Ky ende nuk e ka kuptuar që Millosheviqi nuk jeton më, prandaj nuk jetojnë as shpifjet e tij monstruoze, sado që Daçiqi, ka kohë që sillet si një Millosheviq i vogël”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.
Shkrimi i plotë i Haradinajt në rrjetin social Facebook:
Ministri i jashtëm serb, Daçiq, është më i lig se Ati shpirtëror i tij, Millosheviqi
Kur dikush te akuzon për diçka që nuk e ke bërë, atëher akuzuesi ose ka bërë diçka të tillë vet, ose e ka ndërmend ta bëjë. I tillë është Ivica Daçiq, vetëm se e ka kot se më kurrë më nuk do të mund të ketë fuqi t’i fus duart në Kosovë si shefi i tij, sepse ato do t’i priten.
Ky ende nuk e ka kuptuar që Millosheviqi nuk jeton më, prandaj nuk jetojnë as shpifjet e tij monstruoze, sado që Daçiqi, ka kohë që sillet si një Millosheviq i vogël.
Unë kam qenë burrë dhe nga pozita e Kryeministrit jam përballur me drejtësinë ndërkombëtare dhe nuk jam fshehur si ai e shokët e tij pas xhenazës së Millosheviqit.
Zanati i tyre është të prodhojnë dëshmitarë të rrejshëm dhe hiq s’është largë mendsh që të njetët edhe t’i vrasin vet!
Ai nuk meriton të trajtohet as si kundërshtar, sepse është më i lig se Ati shpirtëror i tij-Millosheviqi!