Me një mesele e ka nisur fjalimin e tij në përmbyllje të fushatës, kreu i AAK-së dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti dhe koalicioni me PSD-në, Ramush Haradinaj.
“A po shkon bre bir knej kah Gjakova me marrë vesh qysh i kemi puntë, se ata e dinë e hajde na trego edhe neve. Po më duket se ju e dini qysh i kena puntë”, ka thënë Haradinaj para masës që kishte mbushur sallën e sporteve në Gjakovë.
“Kur ka zgjedh Gjakova i ka ra mirë edhe Kosovës edhe gjithë shqiptarëve. Kësaj here Gjakova e ka zgjedh Kosovën 100 për qind shtet, e ka zgjedh koalicionin AAK-PSD”, ka thënë më tej ai.
Tutje, Haradinaj ka është ndalur te disa nga pikat me të cilat krenohet për qeverisjen e tij në mandatin që e la në gjysmë me dorëheqjen e tij.
“FSK-ja e ka mundësinë që të bëhet ndër ushtritë më të ira në kontinentit tonë. Policia jonë është më e mira në rajon, dhe po rritet e forcohet çdo ditë. Ata janë në gjendje të mbrojnë Kosovën në çdo cep e në çdo kohë. AKI-ja është në nivel të detyrës, e di se çfarë ndodhë në Kosovë brenda 24 orësh”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se vetëm nga ulja e informalitetit Kosova do të arrijë të ketë të hyra të mjaftueshme për temat që ky koalicion i ka folur gjatë fushatës, derisa ka shtuar se rritja ekonomike nuk do të mbetet nën pragun e ultë, në 6 për qind.
Sa i përket raportit me Serbinë, Haradinaj ka thënë se “kur e shohin fleksibilitetin e kreativitetin e Kosovës, rriten ambiciet edhe të Serbisë edhe të Bashkësisë Ndërkombëtare”.
“Do të vijnë të na kërkojnë diçka tjetër, e na thonë se duhet bërë kompromise të dhimbshme. A pak kompromise në shpirt kemi ne?”, ka thënë Haradinaj.