Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, është shprehur i kënaqur me rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit, duke e quajtur atë “historik” për partinë.
Ai tha se numri i përgjithshëm i asamblistëve të zgjedhur nga Aleanca tashmë ka kaluar shifrën 100.
“Sot, bashkë me kolegët nga Kryesia dhe Këshilli i Përgjithshëm i Aleancës, diskutuam mbi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor dhe rezultatin e arritur. Aleanca ka fituar pa balotazh në Deçan, ndërsa me numërimin e votave me kusht dhe atyre nga diaspora, presim fitore në raundin e parë edhe në Gjakovë, Suharekë dhe Klinë. Në Rahovec jemi fitues absolut që në raundin e parë, me diferencë të theksuar nga partia e dytë, ndërsa në Junik hyjmë në raundin e dytë të vendosur për fitore,” deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se Aleanca renditet e para për numrin e asamblistëve në pesë komuna.
“Numri i përgjithshëm i asamblistëve të zgjedhur të Aleancës tashmë ka kaluar 100, pa i llogaritur ende votat e diasporës dhe ato me kusht, me pritje që ky numër të rritet më tej,” u shpreh Haradinaj.
Sipas tij, në mbledhjen e sotme u diskutua edhe për procesin e krijimit të institucioneve qendrore, ku AAK do të marrë qëndrime të qarta dhe të përgjegjshme në përputhje me interesin e vendit.