Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vdekjes së Hekuran Hoxhës, duke u shprehur thellësisht i tronditur nga humbja e tij, me të cilin tha se kishte qenë koleg shumëvjeçar në Aleancë.
Duke folur për Hoxhën, i cili u gjet sot pa shenja jete në një automjet në Veternik të Prishtinës, Haradinaj deklaroi se ai ishte i angazhuar në aktivitetet politike të AAK-së që nga rinia e tij, ku u dallua vazhdimisht për afërsinë, korrektësinë dhe respektin ndaj gjithsecilit.
“Andaj, ndarja e tij nga jeta na tronditi të gjithëve”, u shpreh Haradinaj.
Në këto momente të rënda, kryetari i AAK-së shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen e nderuar Hoxha, miqtë dhe të gjithë kolegët në Aleancë, duke përfunduar mesazhin me fjalët: “Qoftë i përhershëm kujtimi për ty, Kani!”.