Ambasadori francez në Kosovë, Didier Chabert, ka thënë se shteti që ai përfaqëson dhe Kosova janë duke u angazhuar që sa më parë të sqarojnë incidentin lidhur me arrestimin e Ramush Haradinajt, por sipas tij, e gjithë kjo situatë ka mundur të evitohej në rast se lideri i AAK-së do të njoftonte paraprakisht ambasadën franceze për udhëtimin e tij.
Kjo sepse siç thotë ai, Haradinaj është i kërkuar me urdhëarrest ndërkombëtar dhe policia kufitare franceze nuk ka pasur zgjidhje tjetër përveç arrestimit të tij.
“Nuk ka pasur tjetër zgjidhje për policinë kufitare përpos ta arrestojnë Ramush Haradianjn dhe tani e gjithë kjo çështje është në duart e drejtësisë. Gjyqtari I rastit është informuar për ndjeshmërinë e kësaj çështje por ai duhet të marrë një vendim që bazohet në argument legale”, ka thënë ai.
“Nëse z. Haradinaj do të na informonte se do të shkojë në Francë ne do të kontaktimin me policinë kufitare atje dhe do të sqaronim nëse këtu do të kishte ndonjë problem. Ne po ashtu do të mund të informonim atë për ekzistimin e ndonjë problem apo jo”, ka shtuar ambasadori.
“Në çdo rast, do të ishte ndihmë për ne nëse do të ishim informuar më parë dhe ky problem nuk do të ekzistonte”, ka thënë Chabert për Klan Kosovën.
Haradianj është arrestuar dje në një aeroport në Francë, bazuar në një urdhëarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia.
Gjykata franceze ka vendosur që të mbajë në ndalim derisa Serbia të bëjë një kërkesë zyrtare për ekstradimin e tij./Insajderi.com