Edhe pse pasdite, tre liderët opozitar, Visar Ymeri, Fatmir Limaj e Ramush Haradinaj, dolën në konferencë si opozitë e bashkuar për të deklaruar se refuzojnë ftesën e Presidentes në largim të Kosovës, Atifete Jahjaga, që të japin kontributin e tyre në Komisionin për Demarkacionin, disa orë më vonë, lideri i AAK-së ka ndërruar mendje.
Haradinaj i cili gjatë konferencës tha se arsyeja e refuzimit është përjashtimi i ekspertëve vendor nga Komisioni ad-hoc me ekspert ndërkombëtar, në intervistën e dhënë për RTV 21, Haradinaj ka thënë se megjithatë do ta takoj Komisionin e krijuar nga Atifete Jahjaga.
“Fillimisht do të takohem me ekspertët vendor dhe më pas do të takohem edhe me Komisionin e Presidentes. Do të takohem dhe do t’i pyes se kush janë, çfarë kompetencash kanë dhe në rast se kanë ardhur për turizëm apo të tregojnë se e ka mirë Murat Meha, le ta harrojnë”, ka thënë Haradinaj, raporton Insajderi.
Sipas Haradinajt, nëse presidentja ka krijuar këtë Komision ndërkombëtar do të duhej të shkarkohej Murat Meha dhe i gjithë Komisioni që ka punuar në Demarkacionin me Malin e Zi./Insajderi