Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, i cili u dënua sot me një vit burgim me kusht për keqpërdorim të pozitës zyrtare, e ka quajtur politik vendimin e gjykatës.
Sipas tij, gjykata nuk ka pasur fakte, sepse në të kundërtën do ta dënonte me disa vite burgim efektiv.
“Nëse jam fajtor është dashtë me më dënuar me tre vjet burgim efektiv e jo kësi vendime as mish as peshk”, ka thënë Haraqija.
Gjykata Themelorë në Prishtinë ka vendosur që të dënojë me një vit burgim me kusht dy ish-ministrat e Kulturës, Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Haraqija ka qenë Ministër i Kulturës gjatë periudhës 2004 -2007, ndërsa Beqiri gjatë viteve 2008-2010.
Haraqija ka thënë se vendime të tilla si i sotmi lëndojnë edhe besueshmërinë e gjykatave.
“Besueshmërinë gjykatat nuk munden me fitu duke thënë që i kemi dënuar me kusht. Nëse kam bërë krim, më dërgomi në burg e jo kështu”, ka shtuar ai në emisionin Info Box të RTV Dukagjinit.
“Ka pasur presion politik e janë munduar me mbajt disi mes dy anëve. Fatkeqësia për ta e jo për mua”, ka thënë ai.
Haraqija ka njoftuar se do ta apelojë vendimin e gjykatës./Insajderi.com