×
  • Lajme
  • Lajme

    Hashim Thaçi e Rafet Rama “masin forcat” në garën për president

    Insajderi
    26 February 2016 - 08:42
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nën tensione politike dhe protesta në rrugë, Kuvendi i Kosovës pritet të votojë sot për presidentin e ri të vendit. Koalicioni qeverisës i përbërë nga dy partitë më të mëdha, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike, me mbështetjen e komuniteteve pakicë, pritet që përmes votës të vërtetojnë nëse i kandiduari kryesor për këtë post, Hashim Thaçi do të zgjidhet presidenti i ri i Kosovës.

    Kushtetuta e Kosovës parasheh votim të fshehtë për zgjedhjen e presidentit në një afat jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, që në rastin konkret, nënkupton datën 7 mars.

    Për nisjen e procedurës së votimit, duhet të ketë dy kandidatë për këtë post. Kësaj radhe, Partia Demokratike ka kandiduar liderin e saj Hashim Thaçi si dhe një zyrtar tjetër po nga kjo parti, Rafet Rama, i cili në këtë rast më shumë do të plotësojë procedurën ligjore e kushtetuese të kundër kandidatit.

    Zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. E në rast se asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë. Në rrethin e tretë, kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 vota), zgjedhet President i Republikës së Kosovës.

    Nga të dy kandidatët, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi mbetet favorit i padiskutueshëm për postin e presidentit.

    Megjithatë, zgjedhjen e tij po e kundërshton ashpër opozita e cila pakënaqësinë e vet është deklaruar se do ta shpreh brenda Kuvendit si edhe në rrugë përmes protestave. Po ashtu, Thaçin president, nuk po e mbështet as një grup prej 6 deri në 8 deputetë të Lidhjes Demokratike.

    Sidoqoftë, zgjedhja e Thaçit president, besohet se nuk do të vijë në diskutim, sidomos në rrethin e tretë, nëse sigurohet kuorumi prej 80 deputetëve të pranishëm në sallë për procedimin e votimit.

    Në rast se ndodhë dështimi i zgjedhjes së presidentit, Kushtetuta parasheh shpërndarjen e Kuvendit dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbaheshin brenda dyzet e pesë ditëve./REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark