Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu përmes llogarisë së saj në Facebook ka folur për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës së Apelit Hasan Shala, për të cilin raportoi Insajderi, se ishte njëri nga të përmendurit nga personazhet e Dosjes së Shefave.
Haxhi tha se klani pronto është kujdesur që në krye të Apelit të vendosin një person që është i afërt me ta.
“Pra meqë në Gjykatën e Apelit nuk është më Sali Mekaj për shkak të keqpërdorimit të detyrës zyrtare klani Pronto u përkujdes, që Gjykatën e Apelit, sërish ta drejtojë një njëri i tyre dhe përmes ndikimeve në sistem, e dërgoi Hasan Shalën, sepse është si me “kon në PDK”!”, shkruan Haxhiu.
Haxhiu, e cila tha se nuk iu lejua deklarimi jashtë rendit të ditës në senacën e sotme të kuvendit, duke folur për sistemin e drejtësisë tha se çdo ditë e më shumë po shtrihet rrjeti asfiksues brenda sistemit të drejtësisë.
“E kjo për dy qëllime, për ta luftuar Lëvizjen VETEVENDOSJE!, duke i arrestuar e burgosur aktivistët e deputetët tanë dhe për t’i amnistuar ata që zhvatën pasurinë publike në kurriz të qytetarëve të varfër pra për ta amnistuar klanin Pronto dhe qeverinë kriminale të Mustafës”, shkruan Haxhiu.
Deputetja Hxhiu ka duke përmendur edhe Sylë Hoxhën dhe Imer Bekën.
Sipas saj, prokurorin Sylë Hoxha, “e kemi parë në rolin shërbëtorit të zellshëm ndaj pushteti që buron nga klani Pronto”, e që sipas saj u vancua në prokurorinë speciale për shkak të zhdërvjelltësisë për ta lujatur këtë rol.
“Prokurori Sylë Hoxha, është i njëjti që është marrë kinse me hetimin e vdekjes së dhunshme të Astrit Deharit dhe në fakt në vijimësi u përkujdes në kontaminimin e provave dhe vdekjen e Astritit e shpalli vetëvrasje ende pa përfunduar hetimet sepse ashtu u porosit prej pronto-pushtetit”, shkruan Haxhiu.
Deputetja Haxhiu ka përmendur edhe kryeprokurorin e Prokurorisë në Prishtinë Imer Beka, që sipas saj ka bërë përndjekjen e deputetëve të Lëvizjes VETEVENDOSJE!, për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend.
“Me urdhra të këtij pushteti por këto urdhra janë zbatuar në përpikmëri nga Kryeprokurori i rizgjedhur i prokurorisë themelore në Prishtinë Imer Beka, ai i cili njihet si i afërt me PDK-në dhe i cili është i përfshirë në mbylljen e rastit për vdekjen e të ndjerës Dafina Zhubit. Se pse ka ushtruar ndikimin e tij në rastin e të ndjerës Dafina Zhubit, mesiguri do të kuptohet shumë shpejt!”, tha Haxhiu.