Haxhiu e mbështet vendimin e Osmanit për mos-dekretim të Isufajt: Duhet të kthehet në pikën zero – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu e mbështet vendimin e Osmanit për mos-dekretim të Isufajt: Duhet të kthehet në pikën zero

    Insajderi
    08 November 2023 - 12:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i zgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit “duhet dhe do të kthehet në pikën zero”.

    Ajo tha se e mbështetë dhe e mirëpret vendimin e presidentes Vjosa Osmani për të mos e dekretuar Blerim Isufajn në krye të organit më të lartë të ndjekjes në vend. Haxhiu foli për ndikimin e “grupeve të interesit” dhe “individëve përbrenda sistemit” për të sjellë “një rezultat që dihet”.

    “Mbështes dhe mirëpres letrën e presidentes Osmani për mosdekretimin e z. Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Arsyet për këtë i ka përmendur edhe në letër presidentja Osmani. Kryeprokurori i shtetit ka mandat shtatë vite dhe sigurisht që ky proces duhet të jetë transparent, meritor dhe jo të ndikojnë grupet e interesit apo individë përbrenda sistemit, në mënyrë që të sjellin një rezultat që dihet para se të ndodhë ai. Prandaj, ne mbështesim, unë mbështes presidenten Osmani në letrën që e ka adresuar”, tha ajo në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

    Vendimi i presidentes nuk e ka zmbrapsur Këshillin Prokurorial që së fundmi ia ka dërguar asaj sërish të njëjtin emër për dekretim. Ministrja tha se Këshilli Prokurorial nuk ka pasur të drejtë ta bëjë këtë.

    “Propozimi i njëjtë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk ka bazë kushtetuese e as ligjore. Këshilli Prokurorial nuk e di se ku është bazuar kur e ka dërguar emrin e njëjtë te presidentja Osmani, sepse ky proces duhet të kthehet në pikën zero dhe do të kthehet në pikën zero”, tha Haxhiu.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark