Insajderi
Insporti

Henderson mund të rikthehet në Botëror, shokët e skuadrës japin shpresë

Insajderi
10 July 2026 - 12:53
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Henderson mund të rikthehet në Botëror, shokët e skuadrës japin shpresë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Jordan Henderson iu nënshtrua operacionit pasi theu kyçin e dorës gjatë festimeve të Anglisë pas fitores ndaj Meksikës, por Dan Burn dhe Morgan Rogers nuk e përjashtojnë mundësinë që mesfushori veteran të luajë sërish në këtë Botëror.

Futbollistët e Anglisë, Dan Burn dhe Morgan Rogers, kanë dhënë sinjale shprese se Jordan Henderson mund të ketë ende një rol në vazhdim të Kupës së Botës, pavarësisht dëmtimit të rëndë që pësoi në stadiumin “Azteca”.

Mesfushori 36-vjeçar u lëndua gjatë festimeve pas fitores dramatike 3-2 ndaj Meksikës, në një ndeshje ku Anglia duhej të përballonte lartësinë e Mexico Cityt, një ndërprerje njëorëshe për shkak të motit, mbështetjen e fuqishme të tifozëve vendas dhe kartonin e kuq të Jarell Quansah.

Henderson u rrëzua teksa po kalonte mbi një reklamë digjitale pranë fushës dhe më pas iu nënshtrua një operacioni për të riparuar frakturën në dorë.

Duke qenë se Anglisë mund t’i kenë mbetur maksimumi edhe tri ndeshje brenda dhjetë ditëve të ardhshme, mundësitë që ai të luajë sërish në këtë turne duken shumë të vogla.

Megjithatë, bashkëlojtarët e tij nuk e kanë përjashtuar këtë mundësi.

“Ai nuk do ta përjashtojë veten”

Morgan Rogers deklaroi se Henderson do të bëjë gjithçka për të qenë sërish në dispozicion të skuadrës.

“Shpresoj që ai të mund të jetë ende i përfshirë me ne për pjesën e mbetur të turneut”, tha futbollisti i Aston Villas nga baza stërvitore e Anglisë në Kansas City.

“Ai nuk do ta përjashtojë veten. Besimi që ka në trupin e tij, aftësitë, vetëbesimin dhe mënyra se si sillet si person janë jashtëzakonisht të rëndësishme për grupin tonë.”

Rogers e cilësoi Hendersonin si një nga figurat kryesore brenda skuadrës.

“Ai është gjithçka për ne. Është zemra e grupit”, shtoi ai.

Henderson ka luajtur vetëm gjashtë minuta në këtë Kupë Bote, por ndikimi i tij në dhomën e zhveshjes mbetet i madh për skuadrën e Thomas Tuchelit.

Burn bën shaka: Ndoshta e lëndova unë

Dan Burn, i cili u aktivizua si zëvendësues ndaj Meksikës për ta ndihmuar Anglinë në duelet ajrore, bëri shaka duke marrë pjesërisht përgjegjësinë për dëmtimin e Hendersonit.

“Mendoj se e lëndova pak unë, sepse e bëra të dukej shumë e lehtë kur kërceva mbi reklamë”, tha mbrojtësi i Newcastle Unitedit.

“Menjëherë dëgjova zhurmën pas nesh. Me Hendon, kur nuk ngrihet menjëherë, e kupton se diçka nuk është në rregull.”

Burn konfirmoi se operacioni kishte përfunduar dhe se shpresa për një rikthim të mundshëm ende ekziston.

“Tani e ka kryer operacionin dhe shpresojmë që ende të ketë mundësi të luajë në turne”, shtoi ai.

Anglia me moral të lartë para Norvegjisë

Skuadra e Thomas Tuchelit do të përballet me Norvegjinë në çerekfinale, të shtunën në Miami.

Erling Haaland ka realizuar shtatë gola në Botërorin e tij të parë, vetëm një më pak se Lionel Messi, i cili kryeson garën për “Këpucën e Artë”.

Megjithatë, mbrojtësit e Anglisë e njohin shumë mirë sulmuesin norvegjez nga përballjet në Premierligë.

Pas disa paraqitjeve jo bindëse gjatë turneut, fitorja dramatike në “Azteca” ka rritur ndjeshëm moralin e anglezëve.

Norvegjia eliminoi Brazilin në fazën e 1/8 së finales dhe nuk mund të nënvlerësohet, por në kampin anglez ekziston tashmë një optimizëm i ri për mundësinë e arritjes deri në fund të turneut.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark