×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Heroi i gjallë që jeton me të vdekurit

    Insajderi
    27 April 2021 - 14:00

    Shkruan: Vehbi Kajtazi

    Për gjatë gjithë këtyre vjetëve, Arsim Gërxhaliu ka nxjerr me duart e tij mijëra kocka njerëzish nga varrezat masive. Me kujdesin e një punuesi metalesh të çmueshme, i ka bërë bashkë ato pjesë kockore për të formuar skelet civilësh të pafajshëm, për t’ua dorëzuar familjarëve.

    Rrallëherë ndodh që Arsim Gërxhaliun mos ta shohësh të qeshur. Por, kur është mazun dije që ka përjetuar diçka të rëndë.

    Përjetime të tilla Gëxhaliu ka sa herë hedh këmbën përtej Merdarës – në tokën që fsheh ende trupa shqiptarësh të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

    Eksperti mjekoligjor ka udhëtuar në Serbi 108 herë.

    Gjithmonë i mërzitur për arsyen pse shkon atje, por me një fije shprese se mos zbulon ndonjë kockë shqiptari për t’ia sjell ndonjë familje që pret kaq vjet të dijë për djalin, vajzën, nënën, babanë, gjyshin, kushëririn, dajën, axhën…

    Herën e 60-të e kam shoqëruar unë. E kam parë përkushtimin e tij. Përjetimet. Lotët. Dhimbjen. Dashurinë. Vështirësitë. Përbuzjen e autoriteteve serbe. Moskujdesin e autoriteteve kosovare…

    Megjithatë, ai nuk ndalet së kërkuari të zhdukurit e luftës.

    Për gjatë gjithë këtyre vjetëve, Gërxhaliu ka nxjerr me duart e tij mijëra kocka njerëzish nga varrezat masive. Me kujdesin e një punuesi metalesh të çmueshme, i ka bërë bashkë ato pjesë kockore për të formuar skelet civilësh të pafajshëm, për t’ua dorëzuar familjarëve.

    Falë punës së tij shumë familje kanë një varr për të çuar lule të freskëta çdo përvjetor. Kanë një varr për të qarë.

    Më 29 dhjetor të vitit 2013 Gërxhaliu do të shoqëronte familjarët e të zhdukurve për një vizitë në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës së Serbisë.

    Një natë më herët kishte qenë për skijim në Kodrën e Diellit në Tetovë. Gjatë kthimit pas mesnatës kishte pësuar aksident në komunikacion. Kishte thyer dy dhëmbët e parë.

    Kah ora 3 e mëngjesit kishte zgjuar nga gjumi një mik të tij stomatolog. Me shpejtësi dhe me pak kujdes ia kishte riparuar dhëmbët.

    Pa asnjë minutë gjumë, në ora 7 kishte marrë rrugën drejt Rudnicës për të gërmuar nën një objekt punishteje rrugësh të ndërtuar nga autoritetet serbe mbi trupat e rreth 250 shqiptarëve të vrarë gjatë luftës.

    Me një kujdes të veçantë u shpjegonte familjarëve për gërmimet që po kryheshin, ndërkohë që prapa shpinës së tij shihej një kafkë njeriu.

    Krejtësisht i fokusuar në punën e tij, Gërxhaliu nuk e kishte problem që në krah kishte Veljko Odaloviqin, i cili në kohën e vrasjes së atyre shqiptarëve ishte pjesë përbërëse e pushtetit të Slobodan Milosheviqit.

    18 vjet pas përfundimit të luftës numri i të zhdukurve është përgjysmuar, falë punës së tij dhe ekipeve mjekoligjore.

    1660 persona, prej tyre 400 jo shqiptarë janë ende të pazbuluar.

    Batajnicë – shpellat me kocka të shqiptarëve, poligoni i Njësisë speciale të policisë serbe. 2002/2003

    Për herë të parë në Serbi, Gërxhaliu ka shkuar në vitin 2000 për të kërkuar trupa shqiptarësh.

    Përjetimi me i rëndë për të ka qenë gjetja e trupit të një vajze 7-vjeç në një shpellë në Batajnicë të Serbisë. E gjora vajzë ishte ekzekutuar me një plumb në ballë.

    Rreth një mijë trupa janë gjetur në Serbi deri tash. Shumica prej tyre në Batajnicë, Petrovo Sello, Peruqasi, etj.

    Trupi i vajzës 7-vjeçe ishte tërhequr i pari nga shpella numër 3 në Batajnicë. Rrobat e saj ishin futur në një thes specash dhe i ishin lënë afër. Për shkak të lagështisë, rrobat i ishin kalbur. Bashkë me to edhe thesi i specave.

    “Më ra mënga… Thjeshtë… më duket sikur dëgjova disa zëra që thoshin ku jeni deri tash? Pse nuk keni ardhur ma herët. Nuk munda t’i përballojë emocioneve”, rrëfente Gërxhaliu në vitin 2013 në Rudnicë të Rashkës.

    Lotët e tradhtojnë…

    Rezultatet e ekzaminimeve të mbetjeve mortore në Serbi, shumë pak kanë qenë të sakta. Prej mbi një mijë trupash të ekzaminuar, në 870 raste nuk është konstatuar shkaku i vdekjes.

    Kur ishin sjellë në Kosovë, ishte konstatuar se mbi 85 për qind të rasteve, shkaku i vdekjes kishin qenë armët e zjarrit. Mes tyre shumë viktima ishin ekzekutuar me nga një plumb në kokë.

    Merzinë që i shkakton puna, Gërxhaliu e “harron” me pasionin e tij më të madh – peshkimin. Nuk ka lënë vend në rajon pa e hedhur grepin.

    Mikun me të besueshëm e ka Lexin – qenin e lesh-bardhë, prej të cilit ndahet vetëm kur shkon në Serbi.

    Gjatë këtyre viteve Gërxhaliu ka punuar në mbetjet mortore të dy heronjve shqiptarë – Isa Boletini dhe Adem Jashari.

    Prej familjeve të të dyve ruan kujtimet më të çmueshme. Pjesën e djathtë të mustaqeve të Adem Jasharit mbanë në shtëpi dhe gishtin e Isa Boletinit me të cilin ka tërhequr këmbëzën e pushkës në luftë më turq, serbë e malazias…

    Çfarë mirënjohje më të madhe i duhet Gërxhaliut për punën e tij në kërkim të të zhdukurve të luftës sesa besimi i dhënë nga familja Jashari dhe Boletini për të ruajtur pjesë të trupave të heronjve Adem Jashari e Isa Boletini?

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark