Disa marrëveshje për dhënien e bonuseve të zonimit në Komunën e Skenderajt janë nën hetim, ndërsa zëvendësministri i Financave dhe ish-asamblisti i kësaj komune, Hysni Mehani, ka dhënë dëshminë e tij në Policinë e Kosovës lidhur me këtë çështje.
Mehani ka bërë të ditur se ka dëshmuar në Polici për mbindërtimet dhe bonuset e zonimit, për të cilat ai pretendon se janë dhënë në mënyrë të kundërligjshme.
“Sot, kam dhënë dëshminë time në Policinë e Kosovës në lidhje me mbindërtimet dhe bonuset e zonimit të dhëna në mënyrë të kundërligjshme në Skenderaj”, ka shkruar Mehani.
Sipas tij, marrëveshjet për të cilat ka ngritur shqetësime tashmë ndodhen në duart e institucioneve përkatëse.
“Marrëveshjet e kundërligjshme që po sjellin përftime astronomike për bandat klienteliste tashmë janë në duart e institucioneve përkatëse, institucione që shpresoj të veprojnë sa më shpejt për të ndalur këtë katrahurë qeverisëse në Skenderaj”, tha ai.
Në mesin e marrëveshjeve që janë nën hetim është edhe ajo ndërmjet Komunës së Skenderajt dhe kompanisë “ISA” Sh.P.K., të përfaqësuar nga biznesmeni Rrustem Dobra.
Për këtë rast kishte raportuar më herët Gazeta Insajderi, ku Komuna e Skenderajt i kishte mundësuar kompanisë shfrytëzimin e një bonusi zonimi prej 5,320 metrash katrorë ndërtim, në këmbim të realizimit të projektit për rregullimin dhe finalizimin e rrugës “Adem Demaqi”.
Por, kjo nuk është marrëveshja e vetme që është pjesë e hetimeve.
Një tjetër marrëveshje nën hetim është ajo ndërmjet Komunës së Skenderajt dhe kompanisë “ANB & KS” Sh.P.K., të përfaqësuar nga pronari Nehat Gashi.
Sipas dokumentit, kompania merr përsipër realizimin e dy projekteve për qytetin, me vlerë totale prej 299,425 eurosh, ndërsa në këmbim Komuna i ofron bonus zonimi.
Në këtë rast bëhet fjalë për 6,998.4 metra katrorë shtesë ndërtim, në një parcelë prej 6,868 metrash katrorë, me rritjen e koeficientit të ndërtimit nga 3 në 4.019.
Këto janë vetëm dy nga marrëveshjet që janë përfshirë në çështjen që po hetohet, ndërsa Mehani ka pretenduar se fenomeni i bonuseve të zonimit në Skenderaj është shumë më i gjerë.
Ai kishte deklaruar më herët se në Komunën e Skenderajt janë dhënë mijëra metra katrorë mbindërtim dhe se përmes këtyre marrëveshjeve janë krijuar përfitime në vlerë prej miliona eurosh.
“Janë lëshuar me mijëra metra katrorë mbindërtim, dhe janë dhënë miliona euro përfitime të kundërligjshme”, kishte deklaruar Mehani.
Ai kishte ngritur gjithashtu pikëpyetje lidhur me bazën ligjore të këtyre bonuseve, duke pretenduar se për aplikimin e tyre kërkohet edhe një rregullore komunale, për të cilën thotë se Komuna e Skenderajt nuk e ka.
Ndërkaq, në rastin e marrëveshjes me “ISA” Sh.P.K., Rrustem Dobra i kishte mohuar pretendimet për paligjshmëri. Ai kishte deklaruar se bonusi i zonimit buron nga planet komunale dhe se kjo e drejtë nuk ishte krijuar posaçërisht për rastin e tij.
Dobra kishte mohuar gjithashtu se bonusi ishte rezultat i ndikimit apo favorizimit personal.