“Gjikuria Sh.P.K.”, kompani e mirënjohur në Shqipëri për kapje të tenderëve të mëdhenj, ia kanë mësyrë edhe ndërtimit të nënkalimit të veturave në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë. Vlera e këtij tenderi është gjashtë milionë euro. Milo dhe Florenc Gjikuria, pronarë të kësaj kompanie, kanë dërguar ofertën më të ulët, teksa është raportuar edhe për afërsi të tyre me Astrit Nixhën, Arkitektit të Kryeqytetit.
Komuna e Prishtinës ka hapur para pak ditësh ofertat për nënkalimin e veturave në rrugën “Agim Ramadani”. Gjithsej janë paraqitur katër ofertues, kurse çmimi më i ulët është ofruar nga “Gjikura Sh.P.K.”, shkruan Gazeta Insajderi.
Projektin e këtij nënkalimi e ka krijuar “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”, i cili drejtohet nga Astrit Nixha.
Në media është raportuar për bashkëpunime të mëhershme të Nixhës me Gjikurët. Sipas këtyre raportimeve, Nixha në të kaluarën e ka pasur klient pronarin e kompanisë “Gjikuria”, Lorenc Gjikuria.
Bazuar në ofertën tenderuese të Nixhës për tenderin e Arkitektit të Kryeqytetit, ai aty ka paraqitur referenca edhe të kompanisë “Gjikuria”. Aty ka shkruar se e ka bërë projektin kryesor për “Vila DL, Dhërmi” dhe se klient ka qenë Lorenc Gjikuria. Astrit Nixha aty është paraqitur si projektues kryesor dhe menaxher i projektit.
Kjo dëshmohet edhe me anë të postimeve në rrjetet sociale.
Sipas këtyre raportimeve, Nixha ka bashkëpunuar me “Gjikuria” edhe në një projekt humanitar. Bëhet fjalë për projektimin e 20 banesave që ka bërë “Anarch” për Gjikurinë, e cila i ka ndërtuar ato falas për njerëzit e prekur nga tërmeti në Shqipëri.
Kush janë ‘Gjikurët’ që po ia mësyjnë tenderit gjashtë milionësh në Prishtinë
Kompania “Gjikuria“ në korrik të 2021-ës u procedua penalisht në Prokurorinë e Vlorës për shfrytëzim pa leje të inerteve në zonën e burimit të Çikës. Pavarësisht nisjes së procedimit, leja iu miratua më pas nga Këshilli i Baseneve të Vjosës.
Në 3 korrik, oficerë të policisë së Vlorës konstatuan në terren mjetet e rënda që po gërryenin tokë në afërsi të burimit të Çikës, ndërsa punonjësit që u identifikuan si të kompanisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara shpk“ në pronësi të kompanisë „Gjikuria“ nuk kishin asnjë dokument dhe as paraqitën ndonjë leje.
BIRN kishte raportuar se një ditë pas nisjes së hetimeve, Këshilli i Baseneve të Ujëmbledhësit të Vjosës, i drejtuar nga prefekti Flamur Mama, i dha kompanisë koncesionare “Rruga Orikum-Llogara shpk“ në pronësi të Gjikurisë dha leje për shfrytëzimin e shtufit nga mali për projektin koncesionar të rrugës që lidh portin e Jahteve në Orikum me Dukatin.
Në mediat në Shqipëri u pati raportuar edhe për shkelje të të drejtave të punëtorëve nga ‘Gjikurët’. Në bazë të këtij raportimi, një grua e prezantuar me emrin Jorida ishte ankuar vitin që shkoi se firma ‘Coast to Coast’, që figuron në emër të gruas së Florenc Gjikurisë, nuk i kishte dhënë pagë për dy muaj asaj.
Sipas këtij denoncimi, kjo firmë paguante punonjësit ‘cash në dorë’.
‘Gjikurët’ kanë kapur tenderë të mëdhenj nëpër Shqipëri. Një nga më të mëdhenjtë ishte ai i ndërtimit të rrugës Porti i Jahteve-Orikum-Dukat në Vlorë. Vlera e projektit ishte 50.6 milionë euro.
“Gjikuria” dikur i bënte nder edhe oligarkut Samir Mane. Thënë më mirë, firma “Gjikuria” kontraktore dhe nënkontraktore e rrugës dhe resortit të Samir Manes pati fituar tenderin për të bërë rrugën e Palasës.
Fondi për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë miliona euro ku ishin përcaktuar piketat konkrete për ndërtiimn e kësaj arterie rrugore që lehtësonte turizmin në këtë zonë.
Por firma kontraktore nuk zbatoi projektin e kontraktuesit që e kishte marrë për të bërë këtë rrugë, duke devijuar afër plazhit për të pasur sa më afër resortin turistik të Samir Manes, pasi punonte njëherësh në të dy objektet e punës: Rrugë dhe resort turistik.
Në këtë devijim duke kaluar afër plazhit firma “Gjikuria” cënonte pronat e banorëve të zonës të cilët hapën menjëqherë një proces gjyqësor më 2015, pavarësisht se firma vijonte të ndërtonte rrugën dhe e përfundoi.
Në vitin 2018 gjykata e Apelit Vlorë nxori urdhrin e ekzekutimit për prishjen e rrugës, me argumentin se ka devijuar nga projekti për të cilin kishte fituar tenderin sipas përcaktimit të kontratorit dhe kishte prekur pronën e banorëve.
Problemet që Nixha po ia sjell Përparim Ramës
Dyshime të forta për konflikt interesi janë ngritur në kontratën 12 milionëshe e Komunës së Prishtinës për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”. Ky tender është përcjell me parregullsi dhe ankesa që nga shpallja e njoftimit për kontratën. Pronari i kompanisë fituese Astrit Nixha, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën. Skandali është thelluar, edhe më shumë pasi anëtari i komisionit vlerësues, për këtë kontratë Kreshnik Ferizi, ka qenë i punësuar i Nixhës.
Madje Nixha siç raportoi Insajderi në referencë të punës ka dorëzuar një projekt me bashkëpunëtorë anëtarin e komisionit.
Tenderin 12 milionësh që Përparim Rama ia besoi SHAK është në pronësi të kompanisë së arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K. dhe kompanisë Ardi CC L.L.C.
Nixha, i cili e ka fituar këtë tender, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën, para se ky i fundit të behej kryetar i Prishtinës.
Ndërsa tashmë janë ngritur dyshime se në këtë tender ka konflikt interesi.
Komisioni i i vlerësimit është përbërë: Bekim Bajraktaraj, Njomza Blakaj, Alban Ymeri, Kreshnik Ferizi dhe Bekim Mustafa.
Kreshnik Ferizi, i përzgjedhur për anëtar në komision ka lidhje me kompaninë fituese të tenderit.
Ferizi ka qenë punëtor i Astrit Nixhes ne Anarch dhe Nixha dhe Partners.
Madje, kompania “Anarch”, në këtë tender ka dorëzuar edhe referencat e punës që e lidhin me anëtarin e Komisionit vlerësues.
Kompania e Astrit Nixhës ka paraqitur Kreshnik Ferizin si bashkëpunëtorë në një projekt të tyre ““ZYRAT QENDRORE – ALBANIAN POST”. /Insajderi.org/