×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dyshime të forta për konflikt interesi, ish-punëtori i Nixhës anëtar në komisionin në tenderin 12 milionësh të Përparim Ramës

    Insajderi
    05 June 2024 - 12:19
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dyshime të forta për konflikt interesi janë ngritur në kontratën 12 milionëshe e Komunës së Prishtinës për “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit”. Ky tender është përcjell me parregullsi dhe ankesa që nga shpallja e njoftimit për kontratën. Pronari i kompanisë fituese Astrit Nixha, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën. Skandali është thelluar, edhe më shumë pasi anëtari i komisionit vlerësues, për këtë kontratë Kreshnik Ferizi, ka qenë i punësuar i Nixhës. Madje Nixha siç mëson Insajderi në referencë të punës ka dorëzuar një projekt me bashkëpunëtorë anëtarin e komisionit.

    Gazeta Insajderi

    Në korrik të vitit 2022, Komuna e Prishtinës kishte shpallur njoftimin për kontratën për themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, në vlerë të parashikuar të kontratës prej 12 milionë euro, i cili ishte kategorizuar si aktivitet i prokurimit me dy faza.

    Me 9 mars të 2023, Komuna e Prishtinës kishte publikuar rezultatet e pjesës teknike, ku ishin vlerësuar tre (3) operatorë ekonomikë me pikë, të cilët pastaj do të merrnin pjesë në hapjen e ofertave financiare që planifikohej të bëhej me datën 17 mars.

    Pas shpalljes së fituesve ishin dorëzuar ankesa në Gjykatën e Tenderëve me pretendimin se ka pasur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, konkretisht që operatorët ekonomikë të cilët janë vlerësuar me pikët maksimale në pjesën teknike kanë ofruar dokumente me “informata të rreme” me qëllim të përfitimit.

    Dyshime për konflikt interesi në tenderin e Komunës së Prishtinës

    Tenderin 12 milionësh që Përparim Rama ia besoi SHAK është në pronësi të kompanisë së arkitektit Astrit Nixha, “ANARCH” SH.P.K. dhe kompanisë Ardi CC L.L.C.

    Nixha, i cili e ka fituar këtë tender, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën, para se ky i fundit të behej kryetar i Prishtinës.

    Ndërsa tashmë janë ngritur dyshime se në këtë tender ka konflikt interesi.

    Komisioni i i vlerësimit është përbërë: Bekim Bajraktaraj, Njomza Blakaj, Alban Ymeri, Kreshnik Ferizi dhe Bekim Mustafa.

    Kreshnik Ferizi, i përzgjedhur për anëtarë në komision ka lidhje me kompaninë fituese të tenderit.

    Ferizi ka qenë punëtor i Astrit Nixhes ne Anarch dhe Nixha dhe Partners.

    Madje, kompania “Anarch”, në këtë tender ka dorëzuar edhe referencat e punës që e lidhin me anëtarin e Komisionit vlerësues.

    Kompania e Astrit Nixhës ka paraqitur Kreshnik Ferizin si bashkëpunëtorë në një projekt të tyre ““ZYRAT QENDRORE – ALBANIAN POST”.

    Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje edhe në Agjencinë kundër Korrupsionit për të parë se a ka elemente të konflikt interesit, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

    Njëjtë ka vepruar edhe Kreshnik Ferizi që nuk është përgjigjur ndaj një kërkese për koment.

    Tenderi i kurdisur 12 milionësh, miqtë arkitektë të Përparim Ramës i marrin milionat e parë

    Mbi 3 milionë euro ka marrë kompania “ANARCH” e Astrit Nixhës dhe “ARDI Ç” nga Komuna e Prishtinës për 7 muaj në emër të “Konsulencës për themelimin e Shërbimin e Arkitektit të Kryeqytetit”, proces ky që shkaktoi shumë polemika brenda këtij institucioni.

    Kiks Kosova ka arritur të sigurojë 6 fatura që konsorciumi “Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit” ia faturoi Kuvendit Komunal të Prishtinës e të cilat janë të nënshkruara nga Astrit Nixha, si drejtor menaxhues i këtij shërbimi.

    Pikërisht emri i këtij konsorciumi, që është i njëjtë me procesin e tenderimit, dhe ai i drejtorit menaxhues, Nixhës u bë shkak që të ngrihen polemikat dhe dyshimet që ky proces i prokurimit, i cili do t’i kushtojë Komunës së Prishtinës hiç më pak se 12 milionë euro, ishte i kurdisur.

    Tri nga gjashtë faturat të cilat ShAK ia dërgoi Kuvendit Komunal të Prishtinës për pagesë, janë lëshuar me 12 mars të 2024-ës.

    Të tria këto fatura, që kapin vlerën e rreth 900 mijë eurove, thuhet se janë obligime për një shërbim të vetëm, që sipas faturës është konsulencë për themelimin e “Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”.

    Këto nuk janë pagesat e vetme që Komuna e Prishtinës i ka paguar kësaj kompanie, e cila parashihet të këshillojë komunën e Përparim Ramës për themelimin e “Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit”.

    Paraprakisht, rreth 2 milionë euro nga taksat e prishtinasve, Komuna e Prishtinës ia pagoi kësaj kompanie vitin e kaluar.

    1 milion e 50 mijë euro iu paguan “Arkitektit të Kryeqytetit” në fundvitin e 2023-ës, derisa paraprakisht në nëntor të po atij viti, i ishin dhënë 577 mijë euro, kurse në një moment tjetër, rreth 400 mijë euro të tjera u derdhën në llogarinë bankare të këtij konsorciumi.

    Astrit Nixha, i cili e ka fituar këtë tender, ka qenë bashkëpunëtor i afërt me Përparim Ramën, para se ky i fundit të behej kryetar i Prishtinës.

    Gjurmët e këtij bashkëpunimi figurojnë ende në internet.

    Ky nuk ishte projekti i vetëm që mban firmën e Nixhës dhe Ramës. Nga partner të biznesit në kushte të barabarta, bashkëpunimi i tyre kaloi në një nivel tjetër.

    Në dokumentin tjetër, në të cilin ata vendosën firmat, Rama nënshkroi në cilësinë e kryetarit të Prishtinës, ndërsa Nixha si fitues i tenderit.

    Kontrata për Themelimin e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, në të cilin kompania “ANARCH” e ish-partnerit të Ramës dhe “ARDI- Ç”, u nënshkrua në qershorin e vitit 2023.

    Dhe vetëm për tri vjet shërbim, ai do të shpërblehet me hiç më pak se 12 milionë euro.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark