×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Hije dyshimi në konkursin për inspektorë të arsimit

    Insajderi
    10 August 2023 - 16:58
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ditën e djeshme kam shkruar për konkursin e shpallur nga MPB ( 05.05.2023 ) përmes të cilit konkurs shpalleshin vende  të lira pune për Specialistë të Arsimit  ( nënkupto inspektorë të arsimit ).  Në konkursin e shpallur,  në preambulë  thuhet se ky konkurs bazohej në  Ligji  Nr. 06/L – 114 për zyrtarët publikë, Neni 34 (2 dhe 3) dhe Rregullores (QRK) NR. 16/2020 për pranimin dhe karrierën në shërbimin civil të Republikës së Kosovës, Nenet: 7 dhe 9.

    Shkruan: Nehat Mustafa, ish-zëvendësministër i Arsimit

    Pra, përkundër që angazhimi i specialistëve të arsimit (inspektorëve )  do të jetë i specifikuar në fushën e arsimit, me rastin e përcaktimit të kritereve  nuk janë përfillur fare dy ligje shumë më rëndësi në fushën e arsimit   : LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS dhe LIGJI nr.4/L – 032 PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS (LIGJI Nr. 04/L-032.

    Më poshtë do të gjeni disa prej shkeljeve / kontradiktave të cilat krijojnë shumë dyshime për mënyrën pse është vepruar në këtë mënyrë. 

    Në pikën 3 të  konkursit të  shpallur nga MPB , si kërkesa të përgjithëshme formale parashihen :

    • Diplomë/a e arsimit të lartë më së paku 3 vite të studimeve.
    • Licencë e mësimdhënësit të kualifikuar në përputhje me nenin 34 të Ligjit Nr. 04/L – 032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosoves;
    • Përvoja e punës e kërkuar: Së paku 2 (dy) vite përvojë pune në fushën për të cilën zhvillohet procedura për plotësimin e pozitës së lirë të punës me theks të veçantë, përvojë e punës në mësimdhënie. 

    Nëse i analizojmë : LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS dhe LIGJI nr.4/L – 032 PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS (LIGJI Nr. 04/L-032, atëhere konstatojmë që këto kritere  të paraqitura në konkursin në fjalë janë në kundërshtim të plotë  me dy ligjet e lartpërmendura, sepse:

    1. LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS i cili ka fyrë fuqi në muajin  gusht 2018, rregullon në mënyrë të drejtë angazhimin ( punësimin ) e inspektorëve të arsimit. Më saktësisht ,  përmes nenit 9 të këtij ligji,  paragrafi 2,  respektivisht në  pikat  2.1, 2.2 dhe  2.3 janë të përcaktuara saktësisht kriteret  që duhet ti plotësoj një kandidat për tu zgjedhur  inspektor i arsimit , e që janë si më poshtë:

    2.1. të kenë së paku titull master (300 ECTS);

    2.2. të kenë të paktën pesë (5) vjet përvojë pune në arsim.

    2.3. të mos ketë ushtruar funksione politike në tre (3) vitet e fundit.

    Pra,  LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS parashehë që kandidati për inspektprë të arsimit të ketë së paku titull master ose 300 ECTS, kurse në konkursin e shpallur nga MPB,  ky kriter devalvohet deri nën kriterin minimal duke kërkuar kandidat me studime të përfunduara  në programe 3 vjeçare,  e që nuk kalojnë më shumë se  180 ECTS.

    Edhe kriteri i përvojës së punës  prej 5 viteve që parashihet në  LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS , në konkurs reduktohet në vetëm 2 vite përvojë pune.

    2. Konkursi në fjalë është edhe në kundërshtim me ligjin tjetër, pra me ligjin bazik që rregullon arsimin parauniversitar:  LIGJI nr.04/L – 032  PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS. Më saktësisht ,  në nenin 34 (Kualifikimet shtesë për emërim në pozita udhëheqëse dhe inspektorë)  të këtij ligji thuhet : “Kandidatët që aplikojnë për pozitën e drejtorit apo zëvendësdrejtorit të një institucioni arsimor apo inspektorit të arsimit duhet të posedojnë licencën si mësimdhënës të kualifikuar”.

    Bazuar në Udhëzimin Administrativ nr.05/2021 – Normativi mbi kuadrin Profesional të Arsimit të Përgjithshëm dhe  Udhëzimi Administrativ Nr.05/2015 –    Normativi  për Mësimdhënësit e Arsimit profesional, si kritere minimale për punësim në pozitën e mësimdhënësit kërkohet diploma e njërit prej programeve arsimore me kohëzgjatje 4 vjeçare ( 240 ECTS).

    Pra , sipas legjislacionit në fuqi  që rregullojnë fushën e arsimit parauniversitar dhe UA të latrpërmenduara, nuk lejohet   angazhimi  në poziten e   mësimdhënësit  për  kandidatët që kanë të mbaruar studimet në një program 3 vjeçar. Prandaj, vetvetiu lind pyetja: si mund të konsidrohet mësimdhënës i licencuar një kandidat i cili bazuar në normativët që rregullojnë këtë çështje,  nuk lejohet  të jetë as mësimdhënës i rregullt në procesin edukativo – arsimor ?  Pra, sipas kritereve të përcaktuara në konkursin  e shpallur nga MPB,   krijohen mundësi të konkurojnë për pozitën e inspektorit të arsimit  edhe  kandidatët të cilët nuk  posedojnë kualifikimet minimale  për të qenë mësimdhënës të rregullt.  Bazuar në legjislacionin në fuqi, njëra  ndër detyrat kryesore  të inspektorëve të arsimit është edhe   kontrollimi i   kualifikimeve të personelit arsimor. Prandaj, kjo situatë shpërfaqë më së miri huqjen e madhe të MPB ( me apo pa qëllim )  e cila ka shpallur këtë konkurs me këto kritere që bien ndesh me ligjet që rregulllojnë fushën e arsimit parauniversitar dhe inspektoratin e arsimit. Imagjinojeni  situatën kur një inspektor arsimor i pakualifikuar inspekton lëndë të ndryshme duke përfshirë dhe kontrollin  e kualifikimit të  mësimdhënësve !!!

     Përfundim:  Konkursi për Specialistë të Arsimit  i shpallur nga MPB  është në kundërshtim me ligjet të cilat rregullojnë fushën e inspektimit në arsim , si dhe organizimin e arsimit parauniversitar: LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS dhe LIGJI nr.4/L – 032 PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS (LIGJI Nr. 04/L-032.  Përderisa  ligji i parë është  specifik i dhe i  dedikuar për Inspektoratin e Arsimit, ligji tjetër është bazik në fushën e  rregullimit të arsimit parauniversitar në Republikën e Kosovës.

    Për mendimin tim,  duke ditur specifikat dhe rëndësinë e punës së inspektorëve të  arsimit, MPB  është dashur që të jetë më fleksibile me  rastin e shpalljes së konkursit për Specialistë të Arsimit.  Pozita e punës  “Specialistë të Arsimit “  ( nënkupto  Inspektorë  të   Arsimit )  nuk është një   pozitë formale  e nëpunësit civil  që ndërlidhet me  administratën publike, por parasegjithash është pozitë specifike e cila ndërlidhet drejtpërdrejtë me fushën e arsimit dhe ku kërkohet që  inspektori  të ketë njohuri të konsiderueshme  në këtë fushë. Konsideroj që tek  kriteret e  përgjithëshme formale të përcaktuara  me Ligjin për Zyrtarët Publik (Ligji Nr.06/L-114 – Gazeta Zyrtare nr.8/11 Mars 2019), në kategorinë   ” Kërkesat e përgjithshme formale” , është dashur që    të shtohen edhe kriteret specifike  që rrjedhin nga LIGJI Nr. 06/L -046 PËR INSPEKTORATIN E ARSIMIT NË REPUBLIKËN E KOSOVËS (   neni  9 , paragrafi 2, pikat: 2.1, 2.2, 2.3   ) dhe LIGJI nr.4/L – 032 PËR ARSIMIN PARAUNIVERSITAR NË REPUBLIKËN E KOSOVËS (LIGJI Nr. 04/L-032 ( neni 34, paragrafai 1 ). 

    Ps:Konkursi i shpallur gjatë vitit të kaluar është anuluar, për tu pasuar pastaj me konkursin e shpallur gjatë muajit maj 2023.  Shumë kandidatë që kanë shprehur interes për të konkuruar në konkursin e vitit të kaluar janë ballafaquar me pengesa të shumta të paraqitura në sistemin elektronik. Fatkeqësisht , pengesa të tilla janë hasur edhe në konursin e fundit dhe deri më tani nuk ka asnjë spjegim pse ka ndodhur kjo, duke bërë që dyshimet të rriten edhe më shumë !

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark