Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se pas heqjes së barrikadës së fundit të vendosur në Mitrovicën e Veriut, të shtunën mbrëma te Shkolla Teknike, sot është duke u liruar edhe pengesa e fundit, nga banorët shqiptarë në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve”.
“Sot po hiqet edhe kjo pjesa që është quajtur sheshi ‘Adem Jashari’ dhe tashmë çdo qytetar mund të lëvizë lirshëm në Mitrovicë”, ka deklaruar Bahtiri për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë hapësirë ishte vendosur një cilindër betoni me diametër 1.5 metra, në udhëkryqin kryesor në “Lagjen e Boshnjakëve” nga banorët shqiptarë, duke e emërtuar atë Sheshi “Adem Jashari”.
Vendosja e cilindrit të betonit në “Lagjen e Boshnjakëve”, ishte, siç thuhej, një kundërpërgjigje e banorëve shqiptarë ndaj një vendimi të organeve komunale të Mitrovicës së veriut për ndërtimin e sheshit “Car Lazari”, në vitin 2014”.