×
  • Lajme
  • Lajme

    Historia e biznesmenit që çoi dasmorët me aeroplan në Londër dhe përfundimi në burg

    Insajderi
    09 February 2016 - 18:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

     

    Biznesmeni që mashtroi bankën londineze Standard Bank, Jeton Sadiku  ka thënë se është detyruar të marrë kredi në Kosovë për t’i paguar pagat e punëtorëve të Llamkosit.

    Edhe kreditë në dy banka në Kosovë dalin se janë mashtrime të tij.

    Sadiku që është i akuzuar për mashtrim të bankave, e ka pranuar se nuk ua ka kthyer kreditë, por ka mohuar se hipotekat e lëna për kreditë e marra, i ka çregjistruar në Komunën e Vushtrrisë.

    Biznesmeni që kishte çuar në Londër një aeroplan mysafirë prej Kosove për dasmën e tij, falimentoi disa biznese, përfshirë gjigantin Llamkos. Ai ka pasur lidhje me oligarkë rusë në Dubaj që merren me minerare. Me këtë kompani kishte blerë Llamkosin.

    Përveç “Coresteel DMCC”, me seli në Dubai, Sadiku kishte në pronësi edhe tri kompani të tjera – “Bel & Steel”, “Coresteel Ltd” dhe “Coresteel AG”. Të gjitha janë mbyllur për shkak të mungesës së fitimit.

    Në 2011, ai erdhi në Kosovë dhe beu Llamkosin të cilin e çoi në falimentim. Mbi vete ka një faturë burxhesh multimiliona dhe rrezikun që të përfundojë në burg disa vjet.

    Vetë ka pranuar të shkojë dy vjet burgim, por Prokuroria ka refuzuar ofertën e tij.

    Në pjesën e dytë të shkrimit për mashtrimet e këtij biznesmeni, Insajderi.com sjell dëshminë e Sadikut në Prokurori dhe përfaqësuesit të bankës Standard Bank.

    Biznesmeni ndodhet prej një vit e gjysmë në paraburgim në pritje të nisjes së gjykimit.

    Bankës në Londër ai i ka borxh mbi 26 milionë euro kredi. Pjesë e grupit të të akuzuarve janë edhe Arlind Jupolli, Nezir Klinaku dhe Ilmi Zeqiri.

    Borxh i ka edhe dy bankave në Kosovë – Bankës Ekonomike dhe Bankës Kombëtare Tregtare.

    Në intervistën dhënë në Prokurori, Sadiku ka thënë se prej vitit 1989 jeton në Britani të Madhe në Londër. Ka sqaruar se në gusht të vitit 2011 kompania e tij Corsteel DMCC me seli në Dubaj ka blerë Llamkosin në bazë të likuidimit të aseteve në vlerë 6.400.000.00 euro dhe ka marrë përsipër borxhet e vlerë prej 900.000.00 euro.

    Ai ka thënë se nuk i ka kryer obligimet sipas marrëveshjeve hipotekë. Ka qenë në dijeni për lirimin e hipotekave në zyrën kadastrale në komunën e Vushtrrisë me 10 Janar 2012, por ka mohuar se ka pasur mashtrime.

    Kredinë afro gjysmë milioni euro në Bankën Ekonomike thotë se e marrë për t’i paguar punëtorët.

    Pos borxheve që u ka bankave, ka thënë se borxh i ka edhe kompanisë Trepça.

    “Në muajin Dhjetor 2014 llogaria më është mbyllur dhe ka filluar procedura e falimentimit. Pse ka ndodhur falimentimi, nuk e di”, ka thënë ai.

    Jonathan Dawid Gordon Holms nga Standard Banka me seli në Londër ka dëshmuar se si janë ndryshuar dokumentet së bashku me marrëveshjet hipotekë, të lidhura në mes Standard Bank si huadhënës dhe Coresteel DMCC, e Coresteel SHPK si huamarrës.

    Dokumentet e supozuara për lirim, një kërkesë për shkarkimin e hipotekës, një emërtim të ndërlidhur për Teuta Mulla Ademi si përfaqësuese në prokurë me supozim se secila është nënshkruar nga një nënshkrues i autorizuar në emër të Standard Bank, sipas tij nuk janë ekzekutuar me autoritetin, pëlqimin a po dijeninë e Standard Bank.

    “Dokumentet e supozuara për lirim janë ekzekutuar nga një ose persona të pa njohur për autoritetin, Standard Bank dhe janë tërësisht nule, të pavlefshme dhe nuk kanë ndonjë efekt”, ka thënë ai.

    Aventurat e tij biznesore pos që kanë lënë pa punë qindra punëtorë kosovarë, kanë shkaktuar edhe mbylljen e një fabrike të madhe që dikur njihej si njëri prej gjiganteve më të mëdha në ish-Jugosllavi.

    Njëri prej dasmorëve që ka qenë në Londër me shpenzime të Sadikut habitet për përfundimin e tij.

    “Çfarë jete ka pasur e qysh përfundoi, kjo osht katastrofë”, thotë një mik i tij që nuk dëshiron ti përmendet emri.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark