×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Historia jonë është e mbushur me shumë ngjarje e data që nuk duhet të harrohen

    Insajderi
    01 September 2024 - 12:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Valdet Hysenaj

    Vetëdija kombëtare është themel dhe rrënjë e dëshirës për liri dhe pavarësi, e lehtë kuptohet se sa e flakët ishte dëshira e kombit shqiptar për liri, andaj, etnia jonë, gjatë gjithë historisë nuk i ndali përpjekjet dhe luftërat për çlirim kombëtar. Për etninë tonë, datat e shënuara të historisë nuk kanë qënë dhe nuk janë kurrë ngjarje të thjeshta, të cilave u detyrohet vetëm një lloj respekti konvencional, në një ditë të caktuar të kalendarit, për t’i lënë pastaj në gjumin e harresës. Si ruajtës, vazhdues dhe kurorëzues të thesarit të traditave historike e patriotike, populli ynë i lashtë i ka vlerësuar këto tradita, duke i mbajtur të gjalla në shërbim të çështjes së madhe të lirisë dhe pavarësisë kombëtare, të mbrojtjes së tërësisë dhe sovranitetit të tokës së shenjtë të atdheut, si dhe për ndërtimin e jetës së re.Përpjekjet e popullit shqiptar në viset e tyre etnike për liri e pavarësi datojnë shumë shekuj më herët. Historia jonë është e mbushur me shumë ngjarje e data që nuk duhet të harrohen, me shumë ngjarje e data të bujshme për liri e pavarësi 

    Por, mbi të gjitha sikur dallohen betejat e përgjakshme, rëniet heroike në fushë të nderit në përballje me armikun, sakrificën për etninë tonë, flijimin në emër të lirisë etj., andaj ne sot bartim në kujtesën tonë  vlera të shumta të trashëguara nga e kaluara, në kujtesë bartim edhe emra të mëdhenj, që disi, dashakeqas janë lënë pas dore. Emra që brez pas brezi dhanë gjithë ç’patën, duke mos kursyer as Jetën, për kufij, për toka stërgjyshore, për gjuhë e flamur.

    Zhanica – Vendlindje atdhetarësh

    Gjurmët e këtij shkrimi na shpiejnë në fshatin Zhanicë, fshat ku flitej e vdisej shqip, fshat i cili shtrihet në krahun e djathtë të lumit Lim, i cili buron nga Liqeni i Plavës dhe e përshkon atë Ultinë për ta lënë fshatin Pepaj në të majtë, me qendër Gucinë. Gajtë pushtimit pesëshekullor Zhanica i takonte vilajetit të Plavës, në Hasin e Sanxhakbeut të Shkodrës.  

    Emrin Rzhanicë e hasim në Defterin e Sanxhakut të Shkodrës, që në vitin 1485, me gjithsej 92 shtëpi.

    Fshati ka një histori të dhimbshme, por krenare, sepse gjatë gjithë historisë atdheut i fali bijtë më të mirë, duke lënë njëkohësisht dëshmi për histori. I tillë ishte edhe Azem (Mehmet) Gjelaj, i lindur në vitin 1901në kohën kur shqiptarët dolën në male, në kohën kur shqiptarët kishin hequr dorë nga të gjitha gëzimet dhe lehtësitë e jetës, për të jetuar kështu, të vetmuar, me armë në dorë, me të vetimin qëllim, ruajtjen e trashëgimisë kombëtare të të parëve, gjuhën dhe zakonet e fisit.

    Familja e tij, ndër më të dëgjuarat në Malsinë e Plavës dhe të Gucisë, në vazhdimësi ishte halë në sy për pushtetin dhe bandat malaziase, që vepronin atëbotë, pra, kjo familje është presekutuar, jo njëherë,  nga hordhitë çetniko – serbo – malaziase, vetëm e vetëm se ishin atdhetar. U rrit dhe u rinua me emrin e atdheut në mendje e zemër.

    Që në fëmijërinë e tij të hershme, në odat e burrave, në Logje e Kuvende, Azemi, një djalë vetullhollë, shtatlartë, i bëshëm dhe me shpatulla të gjera,  kishte mësuar se populli i tij jetoi gjithmonë krenar, i  panënshtruar  e liridashës, rrugë të cilën do ta ndjek edhe vet gjatë gjithë jetës, deri në rënien e tij heroike.

    Edukimi kombëtar dhe mbamendja

    Nuk do t’i shqiteshin nga mendja edhe ngjarjet historike që e përcollën Zhanicën e tij. Sidomos, veprimet çnjerëzore të fqinjëve, velikasve, të yshtur nga Cetina dhe Rusia,e të ndihmuar nga vasojeviqasit dhe nga viset e tjera malazeze të cilët sulmuan armiqësisht Zhanicën, duke humbur kështu edhe traditën, edhe ligjet e luftës, e duke kaluar në krime çnjerëzore, duke djegur  Xhaminë e Pepajve dhe po në xhami prenë kokën e mulla Osmanit – Çelë Zhanica, madje edhe në tëbanë dogjën vajzën Kune Drejaj të Pepajve. Gjatë asaj kohe ata grabitën katër vajza nga Zhanica të cilave ua nxorën shpirtin duke ua prerë gjinjtë, më pas të masakruara u gjetën të hedhura në She (nga shënimet e Hasan Gjonbalajt).

    Me pietet kujtonte të gjithë vendasit e tij të fshatit Zhanicë, dhe krenohej me trimëritë e tyre dhe gjakun e derdhur për mbrojtjen e vatanit.

    Ramë Shabanin me të vëllain Arifin, Kurt Mirashi me dy djem, Kolë Gjeka me djemtë Zhuji dhe Muji, Asllan Shabanin me vëllezërit Misinin, Halilin me djemtë Ramën dhe Idrizi, Ali Ukën, Daut Misinin, Muzli Çelën me të dy djemtë, Ujkan Dakën me të vëllain Bajramin, Asllan Cenën, Mirash Hasanin, Xhemë Ujkën, Bajram Osmanin, Kurt Nuecin, Asllan Gjeloshin me vëllezërit Kurtin dhe Ajdinin, Mujë Spahinë me të vëllain Locin, Sejdi Sylën dhe Bajram Sylën me të birin Alinë. Sokol Elezin, Nuradin Asllanin me djalë, Sylë dhe Ramë Shabanin, Ramadan Ferizin, Ramë Kurtin me të vëllain Ferizin, Kurt  Mustafën me dy djem, Ukë Halilin dhe Pjetër Loshin, Arif dhe Tafil Ujkën, Pjetër Loshin,

    Kurt Mustafën, Ukë Halilin, Abaz Fekun e qindra të tjerë si këta, që vuajtën dhe derdhën gjakun, njëherit edhe krenohej me trimëritë e tyre dhe rëniet në përballje me armikun.

    Po ashtu, deri në vdekje Azemi nuk do t’i harronte, as Paqen e Shën Stefanit, as Kongresin e Berlinit dhe dëmet që na i sollën.

    Po ashtu, me mburrje e krenari siç thonë ata që e njohën, fliste për kundërvënien e kësaj të keqeje, ku sipas parimeve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u lëshua kushtrimi prej shtatë e gjer në shtatëdhjetë vjeç, ku 4000 vullnetarë të zotët e pushkës gati nga të gjitha viset shqiptare, e mundën turpshëm ushtrinë e rregullt të Cetinës, në vjeshtë të vitit  1879 dhe me 15 janar 1880.

    Me krenari fliste për faktin që forcat shqiptare zunë rob dy flamuj rusë në Murinë. Për Luftën e Nokshiqit thoshte se ishte një mbrojtje gjithëkombëtare.

     I ati, Mehmeti, që në moshën 13 vjeçare e kishte mësuar që të merrte shenj, me “Taljanken e gjatë”, duhet mësuar me e gjuajt mirë shenjën – i thoshte i ati, sepse në njërën anë pushteti malazez e në anën tjetër bandat çetnike-malaziase, të udhëhequr nga familjet Armush e Lekiq, s po na lën kurrë rehat. Zaten, Azemi, që nga ajo kohë tregoi shkathtësi   gjujtjeje me pushkë, bile i dhanë epitetin e shenjëtarit më të mirë, deri në at shkallë, sa të gjithë e thërrisnin Azem Mici (pseudonim familjar ky, i marrë nga heroi kombëtar Mic Sokoli).

    Te torishta, në krye të fshatit, i pushkatuan   

    Pasha shpirtin e teme loke

     Jam gjaku i kësaj toke…  

    Janë këto vargje popullore që e frymëzuan Azemin që të kurorëzohej para kohe, që në moshën 17 vjeçare – Me pushkën, që e barti burrërisht deri në frymën e fundit. Jehu i saj oshëtonte nga maja në majë, kishte një krismë të veçantë, dallohej nga krismat e tjera, ashtu si dallohej edhe Azemi për trimëri.

    Sipas vajzës së tij Rabës dhe të dhënave të tjera, mësojmë se në vitin 1930, gjatë një përleshjeje të armatosur me familjen Armushaj e cila me vete kishte edhe një një formacion të rregullt ushtarak, në vendbetejë kishin mbetur të vrarë 5 pjesëtarë të familjes Armushaj dhe një gjeneral i Ushtrisë së rregullt malazeze. 

    Kjo ngjarje, për familjen Dakaj të Azem Micës, siç e quanin, nuk përfundoi lehtë. Ishte vjeshtë e vonë e vitit 1931 – vazhdon e bija rrëfimin, civilë të armatosur fqinjësh nga familjet Armushaj dhe Lekiq, formacione të rregullta ushtarake me zingjir komandues, ai mësynë fshatit Zhanicë. Në orët e pasditës fshati u gjend në rrethim të hekurt. Rrebesh bataresh u zbrazën në kullën e Azem Micit – Gjelaj. Tre meshkujt e shtëpisë, tre vëllezër të shquar, atdhetarë e trima të devotshëm, pas një shkëmbim zjarri, i ndalën të shtënat me armë. Nga tytat e mauzreve të tyre pushoi tumi e flaka. Krismat pushuan.  Me një leckë të bardhë dolën në oborr, u dorëzuan vullnetarisht me të vetmin qëllim,  shpëtimin e jetës për familjarët e tyre. Sakrificë. Trimëri. Burrëri. I morën, i prangosën dhe ashtu të lidhur, teksa kishin kaluar 500 m. , te torishta, në krye të fshatit, i pushkatuan.    

    Ashtu, si të panjerzishëm që ishin, su mjaftuan me kaq. Barbaria malazeze su kënaq. Me sungi e bajoneta sulmuan gra e fëmijë. Grave shtatzëna u nxorën nga barku fëmijët e palindur. Kështu, e kishte kujtuar këtë ngjarje, Veseli, i biri i Osmanit, i cili ishe me të atin, te torishta, dhe me sytë e tij kishte parë pushkatimin. Mbante mend se e kishin rrahur e shqelmuar, me çizme ushtarake, në kokë, fytyrë, gjoks, e këmbë te vockla, deri në alivanosje. Kur erdhi në vete, nuk dëgjonte asgjë. Mbeti i shurdhër gjatë gjithë jetës së tij.

    Me ndihmën e Prek Calit, prijësit të Kelmendit të Malësisë së Madhe – Mori hak

    Për të çuar  “Erzin në vend”, i vëllai i Azemit, Zenuni, ndonëse shumë i ri në moshë, doli kaçak në male, me të vetmin qëllim: Marrjen e hakut për maskarën që ia bënë familjes. Përfundoi në çetën e Prek Calit, ku qëndroi një kohë. Me ndihmën e bashkëluftërtarëve dhe prijësit fisnor me mjaft ndikim në KelmendinMalësisë së Madhe, Prek Calit, mori hak, duke lënë të vrarë në vend dhjetra ushtarë malazias.                        

    “Erzin e çoi n’ven”.

    Në ato kohë të vështira, Azemi arriti që të krijonte familje. Me bashkëshorten Buten, patën dy fëmijë: Rabën dhe Salihun, por fati i tij ishte fati i popullit të tij, kështu që pupulli i tij ishte në luftë, e edhe Azemi ishte në luftë. Meqenëse në Zhanicë nuk mund të rrinte, sepse ishte në shënjestër të pushtetit malazias, ai, gjatë kësaj  kohe kaloi në Shqipëri, në Lezhë, ku edhe u angazhua në lëvizjen për çlirim kombëtar. 

    Që nga lindja, pas 14 vitesh takova babain

    14 vjet me ren, – kishte kujtuar e bija Raba, se ka pa baben, thojshin po lufton n’ kufi. Nji kohë isha në Rugovë, në fshatin Haxhaj, te familja e Dan Selmanit, sepse aty ishte e martuar halla ime Syka,  kur e takova babën për herë të parë. – Erdh si reja, i g’jat, i bukur, me pushkë n’dorë, e rrethatore me fyshekë n krah, alltin bardh si smeti i bors n’ shok,  me kapuq t’bardhë mbi vetulla si gajtan …  Nga bjeshka kertull niheshin krisma. Toka gjimojke. Thojshe o ba kjameti. M’duket se i rig shi  bike pa pra, n’takimin që e prita 14 vjet  i perziu lot’ e mia me pikat e veta, e baba ma merr menja se s’mi pau lot’, se m’ kish ardh marre prej tij. Më mori n’gryk, ma vuni doren n’ faqe, m’shikoi me habi, m’perqafoi fort,  sa kjeke rrit moj malsore – m’tha … Folem e tejem gati dy sahat, m’duhet me u kthy sa ma shpejt se qafirat po du me hi knej, batare Ju bajn tha, me i lan Na, po jo, pa met te tan na shehit kama e tyne knej s’ shkel, jemi shumë, jemi t’ vendosun… mu rr’qeth trupi, lotët e shiu u bënë një, se di atë ditë a i dalloi  baba lotët a jo nga shiu… Teksa një shokë shiu preku Majen e Licit, baba u nis, në fund t’ katunit shprazi nji pushkë habertare, shenjë që të takohej me shokët për në front, se ashtu ishin  marr vesh mes veti. Kaq më kujtohet, edhe pse më duket se veç si n’pasqyrë e pash.      

    Pritja për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare

    Po në këtë kohë edhe Azemi, me pushkë në dorë, ishte ngjitur maleve, duke iu bashkuar luftëtarëve të lirisë. Mori pjesë në disa beteja kundër hordhive malazeze, që digjnin e piqnin këdo që u dilte përpara, si në Luftën në Vizitor, Luftën në Mashnicë, Luftën në Lluga etj., duke dalë gjithmonë faqebardhë.

    Në prill të vitit 1941 këto vise u pushtuan nga forcat fashiste italiane.

    Banorët e krahinës së Plavës dhe Gucisë pritnin ditë më të mira dhe jashtë dhunës, çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare.

    Serbo – malazeztë, pajtoheshin mes vete kur binte çështja e krahinës së Plavës dhe Gucisë dhe i bashkonin forcat për t’i arritur qëllimet çetnike. Si bindje për këtë japim faktin se më 27 korrik 1941 u vunë zjarrin tri fshatrave: Zhanicë, Pepaj dhe Nokshiq, duke i bërë rrafsh me tokë, madje duke mos e lënë në këmbë as xhaminë.

    Gjatë kësaj kohe Plava mori cilësinë e nënprefekturës së Pejës, ku Zhanicë ishte njëra prej 3 komunave të saja, me kryetar komune Avdi i Avdiqe. Komuna përfshinte fshatrat Zhanicë, Nokshiq, Pepaj, madje u shtri edhe në Murinë, Mashnicë e Velikë, d.m.th. gjatë tërë Ultinës së Epërme të Limit.

    Gucia kishte forcat e veta civile – vullnetare vendase

    Për shkak të acarimeve Gucia kishte formuar forcat e veta civile – vullnetare vendase. Për ndihmë u kishin arritur edhe shumë vullnetarë nga viset e tjera shqiptare. Pushtuesit italiano-gjermanë, njëri edhe tjetri, kishin politikë të errët që të vriteshin fqinjët ndërmjet veti, në mënyrë që të sundonin më lehtë.

    Në ballë të forcave vullnetare qëndronin njerëzit më me autoritet nga trevat e krahinës së Plavës dhe të Gucisë, që kishin për qëllim bashkimin e trojeve etnike, në radhët e të cilëve ishin edhe përfaqësuesit e këtyre fshatrave, me qendër kryesore në Plavë.

    Forcave civile vullnetare të fshatrave Zhanicë, Nokshiq dhe Pepaj u prinin: Imer Maliqi, Bajrush Haziri, Ukë Dema, Xhemë Bajraktari, Halil Huli, Azem Mehmeti – Gjelaj, Sokol Shabaj, Imer Muça, Dervish Asllani, Malush Bajrami, Haxhi Syla, Arnaut Rama, Ibish Sadiku, Hasan Salihi, Dan Zeqi, Çelë Mani, Niman Duci, Cenë Gjelaj, Hysë Selimi, Reko Meti, Smajl Halili, Halil Hyseni, Shaban Shabaj, Latif Muça, Lekë Prela, Ali Ferizi, Hysen Keka etj.

    Në këtë kohë, në Plavë ishte formuar “Njësiti 51”, bashkim i grupit të djemve më të denjë për dhënien e ndihmës së shpejtë luftarake në vijë të frontit dhe nëpër brendi të këtyre viseve, që delegoheshin nga fshatrat dhe qendrat, Guci dhe Plavë. Në “Njësitin 51”  nga këto fshatra ishin: Azem Mehmet Gjelaj, Ukë Dema, Bajrush Haziri, Shaqir Zymeri, Halil Huli, Idriz Çelaj, Shaban Gjekaj, Cenë Asllani, Hysë Selimi,Tomë Bacani, Hasan Salihi, Brahim Delia, Niman dhe Gal Duqi. 

    Këto tri fshatra kishin këshillin e përbashkët që pëbëhej nga: Selim Zhuji, Hoxhë Pepa, Imer Maliqi, Ukë Dema, Malush Bajrami, Sadri Ujkaj, Sokol Idrizi, Muzli Çela, Tomë Bacani, Haradin Keka, Zymer Istrefi.

    Në Këshillin Kryesor në Guci ishin të deleguar Xhemë Bajraktari, Imer Maliqi, Cenë Gjelaj dhe Hoxhë Pepa

    Tri fshatrat Zhanica, Pepaj dhe Nokshiqi kishin bajraktarin e përbashkët, nga mëhalla Gjekaj e Zhanicës, në këto vitet 1941-1944 u   printe Xhemë Tahiraj,  i cili u vra me cilësi prijësi në vijën e parë të frontit (1944) në Mokna. Krah tij ishte gjithmonë Azem Mehmeti – Gjelaj. Ranë bashkë, në të njëjtën betejë, edhe rënien e kishin të lehtë, sikur nuk donin ta lëndonin tokës.

    Humbjet e zëvendëskomandantit të Drazha Mihajloviçit

    Në vjeshtën e vitin 1943 mori pjesë në Luftën e Murinës, që në popull njihet si Lufta e Arzhanicës, të cilës i prinin: Xhemë Arifi – Bajraktari, Ymer Maliqi, Azem Mehmeti – Xhelaj, Bal Alia, Brahim Duci, Lan Pejqini, Rrahman Sheqi, Adem Shabani, Selman Faku, Avdi Smajli, Sadik Bajrami, Haxhi Syla, Isuf Kameri, Shaban Ibishi, Ujkan Meta, Halil Hamzi, e mbi 350 luftëtarë të tjetë vullnetarë ankëkënd trojeve etnike. Në këtë betëjë të përgjakshme, forcat çetnike, të udhëhequra nga Pavle Mihajloviq, zëvendëskomandanti i Drazha Mihajloviçit,  pësuan humbje të papara në njerëz, veçanërisht batalioni III dhe IV që drejtoheshin nga komandatët me nam të keq: Pavle Gjurishiq dhe Vaso Llaban. 

    Edhe në luftën e Vizitorit, Azemi u shqua, përkrah strategut Xhemë Bajraktari. Lufta qe e ashpër, por rezistenca shqiptare qe edhe më e ashpër. Beteja u zhvillua nga Maja e Vizitorit e deri te Maja e Mehit dhe ajo e Verdhushës.

    Krerët rugovas kishin respektonin Azemin

    Fundi i vitit 1943, Azemin, së bashku me kushëririn e tij, Xhemë (Arif) Bajraktarin të cilët pushteti malazias komunisto-çetnik i  kishte shpallur armiq, i gjen në Rugovë, duke iu bashkur kështu burrave të Rugovës, të cilët nga Çakorri e deri në Qafë të Kullës e mbronin çdo pëllëmbë toke.

    Azemi gjatë kësaj kohe ishte luftëtar aktiv në të gjitha betejat e zhvilluara për mbrojtjen e kufijve.

    Krerët rugovas, Zhukë Haxhiu, komandant i kufirit, Sali Rama, komandant dhe strateg lufte, Sak Faslia, bajraktari i Rugovës, kishin respekt të veçantë për Azemin.

    Vera e vitit 1944, pikërisht me 4 korrik 1944, në Luftën e Shekullarit, te Maja e Smilovicës, në përkrahje të luftëtarëve të Rugovës, në mbrojtje të kufirit, në luftime të rrepta e të përgjakshme, ballë për ballë me ushtrinë e rregullt serbo-çetniko – malazeze, bie dëshmor, në fushë të nderit, për mos të vdekur kurrë.

    Pas rënies heroike, për lirinë e atdheut, Azem Mehmeti, u varros me nderimet më të larta ushtarake, te kulla në Mokna, nga luftëtarët rugovas, pas tre javësh, bashkë me bajraktarin e Zhanicës, Xhemë Arifin – Tahiraj.  

      Ai gjatë gjithë jetës qe luftëtar lirie,  njeri i besës e burrërisë, i sakrificës e i pushkës së lirisë …

    Gjatë kërkimeve për luftëtarët e lirisë, gjejmë shumësi dëshmish edhe të figurave të tjera të shquara kombëtare, për të cilat nuk është shkruar aspak, ose shumë pak. Kjo është e dhimbshme, sepse harresa dhe heshtja janë ato lëngata, që na kanë dëmtuar më shumë si komb. Ne kemi  vlera ende të paevidentuara e të pavlerësuara, sikur të Azem Mehmetit, të cilëve kemi obligim kombëtar t‘ua lajmë borxhin, sepse ata atdheut i dhanë më shumë, prandaj kujtimi për heronjtë tanë, të dalë nga gjiri i popullit, të edukuar në odat tona, si i quaj unë: “Parlamenti i vogël”, duhet të na shërbejë si bazë, për t’u bërë bashkë që të jetësojmë idealin dhe Amanetet e të gjithë Dëshmorëve të Atdheut.  

    U kurorëzua ME PUSHKËN në moshën 17 vjeçare 

       ( Më 4 korrik 1944, Azem (Mehmet) Gjelaj (1903 – 1944) në Luftën e Shekullarit, te Maja e Smilovicës, në përkrahje të luftëtarëve të Rugovës, në mbrojtje të kufirit, në luftime të rrepta e të përgjakshme, ballë për ballë me ushtrinë e rregullt serbo-çetniko – malazeze, bie dëshmor, në fushë të nderit, për mos të vdekur kurrë. Pas rënies, Azem Mehmeti, u varros me nderimet më të larta ushtarake, te kulla në Mokna, nga luftëtarët rugovas, bashkë me bajraktarin e Zhanicës, Xhemë Bajraktarin – Tahiraj). 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark