Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka përgatitur një kërkesë drejtuar Presidentes së Kosovës, me të cilën kërkon që Bashkim Nurboja të mos dekretohet si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Hoti ka bërë të ditur se kërkesa bazohet në argumente kushtetuese dhe ligjore, të cilat, sipas tij, kanë të bëjnë me ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të Bankës Qendrore, shkruan Insajderi.
Ai u ka bërë thirrje deputetëve që ta nënshkruajnë kërkesën deri nesër në orën 11:00, në mënyrë që ajo t’i dërgohet Presidentes.
“Kjo nuk është çështje partie. Është çështje e pavarësisë së BQK-së dhe respektimit të Kushtetutës”, ka shkruar Hoti.
Bashkim Nurboja është ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës dhe ish-kandidat për deputet nga kjo parti. /Insajderi.org/