Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për President të Kosovës.
I pyetur nga Gazeta Express nëse do ta votojë Sejdiun për President, ish-kryeministri Hoti është përgjigjur shkurt dhe prerë: “JO”.
Sejdiu kishte qenë gjyqtar raportues në rastin kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Qeverinë e udhëhequr nga Hoti në vitin 2020.
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka zhvilluar sot një takim në Kuvend me kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për finalizimin e marrëveshjes për kandidatin për President.
Pas takimit, Abdixhiku deklaroi në një konferencë të përbashkët për media me Kurtin se kanë bërë “punë të mirë dhe të mbarë” për vendin, me gjetjen e kandidatit për President.
Më pas, Abdixhiku shkroi në Facebook se emri i Bekim Sejdiut “u propozua nga të dyja palët, në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”.
Kandidatin e përbashkët, Abdixhiku e cilësoi si një njeri “me integritet, maturi dhe pavarësi – nga secila palë”.